Ballina Flash

Pengojnë çeljen e bisedimeve me BE-në, se kanë frikë nga Drejtësia që vjen pas negociatave

TIRANË, 14 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga takimi elektoral në Patos për zgjedhjet e 30 qershorit se, rruga drejt zgjedhjeve është komplikuar për shkak të anormalitetit që kanë krijuar kundërshtarët politikë, të cilët jo vetëm kanë frikë të përballen në zgjedhje, por janë në panik nga çelja e negociatave të anëtarësimit në BE që do të hapin dy kapitujt e një Drejtësie të re.

“Rruga drejt 30 qershorit është komplikuar për shkak të anormalitetit që kanë krijuar kundërshtarët tanë politikë, prej kohësh tanimë, që buron si nga frika për t’u përballur me PS-në në zgjedhje se e dinë që nuk fitojnë dot, si nga paniku se negociatat e anëtarësimit në BE janë shumë afër, dhe çelja e negociatave për të gjithë ata që duan të kuptojnë se ku lidhet lufta hileqare dhe krejt e pabesë e kundërshtarëve tanë me vetë Shqipërinë, duhet të kuptojnë se janë bisedime mes BE dhe Shqipërisë që çelen me dy kapituj në tryezë të Drejtësisë dhe duke çelur këta kapituj, Shqipëria jo thjesht duhet të tregojë se i ka të përputhura ligjet me ato të Europës, që thuajse në tërësinë e tyre ne i kemi përputhur me Reformën në Drejtësi, po të tregojë se është shtet ku drejtësia bën drejtësi, ku vetingu që ne kemi nisur dhe pastrimi i pallatit të Drejtësisë vazhdon me plotësimin e të gjitha vendeve të makinerisë së drejtësisë dhe me gjykimin e ndëshkimin e atyre që në 30 vjet kanë bërë të pandëshkueshmin këtu në vendin tonë”, – tha Rama.

“Nëse shikoni ata që udhëheqësit e kësaj përpjekjeje kundër Shqipërisë që kanë muaj të tërë që vënë në skenë shfaqje të shëmtuara me kapsolla, e molotov, zjarre e zhurmë për ta përhapur në gjithë Europën e për të treguar se Shqipëria nuk meriton të merret në konsideratë, e kuptoni se fytyrat e tyre janë shëmbëlltyrat më kumptimplote pse në Shqipëri nuk është bërë asnjëherë drejtësi, e padiskutim që ne jemi kundërshtarët e tyre të padurueshëm, se jemi e vetmja forcë politike në Shqipëri që e ka dëshiruar dhe nga sekonda e parë ka luftuar për Reformën në Drejtësi, të vendosur për ta çuar deri në fund, pa bërë llogari se kë do kapë drejtësia, apo sa e lartë do jetë dera e burgut për gjithë ata që meritojnë të shkojnë në burg dhe padiskutim ne nuk duam drejtësi si ajo që kishim, por një drejtësi që gjithkush të përgjigjet e të mos fshihet”, – tha Rama.

Kryeministri shtoi, se në thelb nuk është anulimi i zgjedhjeve që ata duan, “zgjedhjet janë vetëm pengu që duan të marrin për ta çuar Shqipërinë në një rrugë pa krye, për t’i imponuar shumicës që ne përfaqësojmë vullnetin e mbrapshtë të një pakice që katërshja e aventurierëve, Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi nuk e përfaqësojnë, por vetëm e sundojnë”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalilaj: Vijojmë programin e investimeve strategjike edhe në 4 vitet e ardhshme
Artikulli tjetërDeputeti gjerman: Shqipëria e meriton çeljen e negociatave, atje po bëhet luftë për pushtet