TIRANË, 10 qershor/ATSH/-Turizmi malor dhe kulturor që ofrohet nga bujtinat e familjeve veriore njihet për mikpritjen dhe bujarinë e tyre të madhe.
Kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka ndarë shembullin e zhvillimit të agrobiznesit dhe mbështetjen e marrë nga qeveria në Dibër.
“MIRËMËNGJES, dhe me një shembull mes maleve, që mishëron forcën e ëndrrës dhe të vullnetit të njeriut për të ndryshuar realitetin edhe aty ku duket sikur s’ka asnjë mundësi për të ëndërruar e realizuar gjëra të mrekullueshme, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet kryeministri.
Ndërsa Rama vizitoi ambientet e kullës 200 vjeçare, trashëgimtari i këtij objekti me rëndësi historike rrëfen si lindi ideja për ta kthyer në një model agroturizmi.
“Jemi gati tre breza këtu, 200 vjeçare si kullë nga katragjyshi, rindërtim nga stërgjyshi edhe brezi i fundit jam unë që vura dorë. Fillimet e mia kanë qenë të vështira. Unë e kam filluar nga rruga. Nuk e kam menduar që do ta realizoj këtë ëndërr. Turistët kanë ardhur, rastësisht nga rruga kalonin dhe me sa informacion kisha anglisht doja me patjetër t’i sillja këtu, që t’u tregoj historinë, traditën dhe mikpritjen. Ja dola, solla një grup shumë të madh turistësh por nuk kisha kapacitet sepse nuk kishte shtretër këtu, nuk kishte asgjë por vetëm kjo dhomë. Kjo dhomë ka qenë e mbuluar komplet me sovatim.
Në lidhje me fluksin e turistëve, ai thotë se “kjo është ngritur gradualisht. Nga vitet që kam filluar ka qenë shumë I pakët fluksi. Më pas duke investuar nga pak dhe duke u rritur numri i turistëve. Kuptova diçka, që investimi ngre turizmin. I jep vlerën që ka kësaj zonë, investimi I jep vlerë jo vetëm kësaj zone por edhe Shqipërisë, plus që është traditë, kulturë, histori dhe mikpritje dhe ne këtë e bëjmë pa shkollë. Këtë mund ta bëjë çdokush”.
Mesazhi: Për të gjithë ata që duan të bëjnë diçka për veten e vet, duhet ta nisin nga vetja. Unë mendoj që të përpiqesh, të punosh shumë. Unë dua ta zhvilloj këtë biznes dhe realisht ndihma që kam marr nga AZHBR-ja . Unë nuk do ndalem me kaq. Kam menduar projektin e shtatë kullave”,
Rama garantoi se Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural do të vijojë mbështetjen ndaj këtij biznesi të ngritur.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim, nuk diskutohet. Po të bëhet edhe projekti i shtatë kullave, ne do të mbështesim prapë. Të bëjmë edhe një plan për mbështetjen e Komisionit Europian. Do të jetë e bukur, një itinerar i shtatë kullave është gjë e bukur. Shumë ide e bukur, bravo. Sa më shumë ëndrra të shohësh aq më mirë është kur I sheh me sy hapur dhe po pate vullnet për t’i realizuar, i realizon”, përfundoi Rama.
Kulla ka ka 15 shtretër ndërsa kapaciteti është deri në 27 persona sepse turistët janë kryesisht turistë të aventurës dhe preferojnë të flenë në dërrasa. Përreth kullës janë 7 mijë metra katrorë tokë. z.tosku/ /a.g/






















