https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/529799617553925/?t=3
TIRANË, 7 qershor/ATSH/ – Programi kombëtar i depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri i ofruar për herë të parë falas i ka mundësuar kryerjen e testet HPV deri më tani të 2200 grave.
Ky program kombëtar ka për qëllim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Në videon e publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, doktor Alban Ylli pranë Institutit të Shëndetit Publik thotë se testi HPV kryhet pranë qendrave shëndetësore dhe përfitojnë 17 mijë gra në vit.
“Këtë vit Shqipëria për herë të parë ka filluar një program të depistimit të kancerit të qafës së mitrës, që është një nga problemet e rëndësishme të shëndetit publik. Në këtë rast bëhet fjalë për një program efektiv nëpërmjet të cilët të gjithë gratë shqiptare do të përfitojnë jetë të shëndetshme. Programi do të ofrohet në këtë 5-vjeçar për gratë e moshës 40-49 vjeç. Janë kryer tashmë 2200 teste, janë kthyer përgjigjet. Përgjigjet janë të personalizuara”, tha ai.
Një qytetare që ka kryer këtë test thotë se për HPV-në u informua nga mjeku i familjes.
“Për HPV-në u informova nga mjeku i familjes. Nuk e kisha bërë më parë. Ishte procedurë shumë e lehtë për t’u bërë, falas aq me tepër”. Po kështu, një tjetër qytetare shprehet se “mjeku i familjes më shpjegoi rreth rëndësisë që kishte kjo lloj analize dhe pse jo të mos ta bëja. E bëra së bashku me check-up”.
Nga ana e saj, doktoreshë Blerta Berberi në qendrën shëndetësore nr.8 Tiranë thotë se qytetarët janë ndërgjegjësuar për të kryer testin.
“Kohët e fundit, ministria e Shëndetësisë ka lançuar një fushatë të re depistuese falas, e cila konsiston në bërjen e testit të HPV-së, i njohur si shkaktar i kancerit të qafës së mitrës. Ky program depistues ka filluar me ritme të kënaqshme dhe kjo jo për shkak të punës së madhe orientuese që bëjnë mjekët e familjes por edhe për shkak të ndërgjegjësimit të vetë qytetarëve që tashmë kanë informacionin e duhur”.
Testimi me HPV kryhet i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe ofrohet falas për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, që është edhe grupmosha më e prekur nga kanceri i qafës së mitrës.
Në Shqipëri kanceri i qafës së mitrës është kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit. Mbi 100 gra diagnostikohen me këtë kancer dhe pothuaj 40% e tyre humbin jetën nga ky kancer çdo vit në vendin tonë. Kanceri i qafës së mitrës prek gratë e moshave të mesme.
Qeveria e miratoi Programin Kombëtar të depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri më 30 janar të këtij viti.
z.tosku/j.p/












