FOTO/ Turistë gjermanë dhe amerikanë në kanionet e Nivicës

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ – Kanionet e Nivicës, një pasuri natyrore e turizmit malor në jug të Shqipërisë, po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj.

Ekspertët e konsiderojnë si një nga 10 kanionet më të bukura në Europë. Kushdo që ka udhëtuar qoftë dhe një herë drejt Kurveleshit, ato i janë shfaqur përballë, ndërsa ngjitesh rrugës për në Progonat. Ato janë dhe më mahnitëse kur i shikon nga Nivica. Thellësia e tyre shkon deri në rreth 70 metra dhe mund të përdoren për ushtrimin e sporteve të ujit.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, bën të ditur se ditët e fundit u zhvillua një tjetër ekspeditë në kanionet e Nivicës nga turistë të huaj.

“Këtë herë një ekip nga SHBA dhe Gjermania të kryesuar nga Pascal van Duin vizituan kanionet e Nivicës”, tha Tare.

“Kanionet e Nivicës janë të klasit botëror dhe duhet të mbrohen” ishte mesazhi i këtij ekipi ndërkombëtar. Jemi të lumtur të dëgjojmë se puna jonë në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre mrekullive natyrore po merr mbështetje të fortë nga bashkësia ndërkombëtare”-, shprehet Tare.

Disa ditë më parë këto kanione u vizituan edhe nga dy ekspedita franceze.

Kanionet ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të Tepelenës. Kanë gjatësi deri në disa kilometër, gjerësi mesatare rreth 15 m, ndërsa thellësia varion sipas shtegut malor ku kalon lumi dhe shkon deri në disa dhjetëra metra.

Kanionet janë formuar nga erozioni i përroit (lumit) të Nivicës, pjesë e atij të Bënçës, në shkëmbinjtë gëlqerorë. Shpatet e kanionit janë vertikalë, kanë guva e shpella karstike shumë të vështira për t’u eksploruar.

Kalimi përgjatë fundit të kanionit është i vështirë, pasi ka edhe pragje me lartësi deri disa metra. Pamja e tyre madhështore, gjelbërimi në të dyja anët e tyre, i bëjnë ato tërheqëse. Kanë vlerë ekologjike, shkencore, didaktike e turistike.

Vizitohen sipas rrugës automobilistike Tepelenë, Progonat, Nivicë ose dhe nga bregdeti duke u futur nga Lumi i Vlorës, Himara apo Borshi.

Kohët e fundit, turistët aventurierë të sporteve malore dhe ujore, kanë filluar t’i vizitojnë këto kanione dhe t’i prezantojnë ato në botën turistike nëpërmjet fotove e videove që realizojnë në këto kanione. Nivica tashmë ndodhet shumë pranë detit. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.