Ballina Aktualitet

Protesta e opozitës/ 42 të arrestuar dhe 19 në hetim në gjendje të lirë

TIRANË, 3 qershor/ATSH/- Policia e Shtetit ka proceduar 60 persona për aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës, ndër ta 42 janë arrestuar.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se “më 2 qershor duke nisur nga ora 19:00 subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në Bulevardin” Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë e vijuan në rrugën “George W. Bush”, përballë institucionit të Parlamentit të Shqipërisë”.

“Gjatë protestës në rrugën “George W. Bush” pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthimi punonjësit e Policisë, të ndodhur me shërbim para Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit të Shqipërisë. Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta, kapsollave e fishekzjarrëve kanë mbetur të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës”, – nënvizon Policia e Shtetit.

Sipas policisë, si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinën e Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit.

“Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 42 persona, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 17 persona të tjerë për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive””, sqaron policia.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” shtetasi G.B.

Policia e Shtetit vijon punën për identifikimin e persona të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë./k.s/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKisha Ortodokse: Të gjendet rruga e pajtimit për zgjidhjen e problemeve
Artikulli tjetërPEKIN – Kina: Vlerësoni shkallën e rrezikut përpara studimeve në SHBA