Ballina Flash

Shkodër/ Finalizohet operacioni “Dukagjini”, kapet i shpalluri në kërkim

TIRANË, 29 maj /ATSH-A. Fortuzi/ – Policia e Shkodrës ka realizuar me sukses operacionin policor të koduar “Dukagjini”, për kapjen e një personi të shumëkërkuar, të dënuar me 23 vite burg për “Vrasje”. Gjithashtu në vijim të operacionit u kap në Shkodër edhe një shtetas tjetër i dënuar me 5 vite e 6 muaj burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Sipas njoftimit të Policisë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë edhe bashkëpunimit me komunitetin, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dukagjini”.

Në kushte të vështira të terrenit dhe të motit, Policia ka bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Lush Pjollaj 42 vjeç, i cili fshihej në një banesë në fshatin Vuksanaj të Dukagjinit.

Ky shtetas është dënuar në vitin 2013 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 23 vite burgim për veprën penale “Vrasje me paramendim”, pasi më datën 12.09.2012 në lagjen Pjollaj të fshatit Vuksanaj, ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.T 56 vjeç për motive të gjakmarrjes.

Gjithashtu u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim Edmond Beqari, 40 vjeç, banues në Shkodër, pasi është i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 5 vjet e 6 gjashtë muaj burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBayern në sulm për Dybala, gati 80 milionë euro për Juventusin
Artikulli tjetërBashkia e Tiranës çel projektin për financimin e nismave të grave sipërmarrëse