TIRANË, 27 maj /ATSH/ Zëri i fëmijëve do të dëgjohet, pasi për herë të parë, një përfaqësi e tyre do të jetë pjesë e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastrilu ka pritur sot në një takim fëmijët e Koalicionit dhe rrjetit të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre.
Manastirliu u shpreh se “ishte kënaqësi që sot prita në një takim të përzemërt fëmijët e Koalicionit dhe rrjetit të organizatave për mbrojtjen e fëmijëve, për të nisur përshtatjen e ligjit të të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve, në gjuhën e tyre”.
Ligji nr 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin, promovimin e këtyre të drejtave, si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës. Qëllimi i këtij ligji është: të përcaktojë të drejtat dhe aksesin në të drejta; mekanizmat konkrete dhe efektive që garantojnë realizimin me efektivitet të këtyre të drejtave; përkujdesjen e posaçme për fëmijët; ngritjen e një sistemi të integruar të mbrojtjes së fëmijëve.
Ky ligj sjell një qasje tjetër ndaj mënyrës se si konceptohen të drejtat e fëmijës, në të cilin grupe fëmijësh janë veçanërisht në fokus të sistemit të integruar të mbrojtjes dhe masat konkrete të mbrojtjes që duhet të merren nga strukturat përgjegjëse për të parandaluar, rehabilituar ose mbrojtur në vazhdimësi fëmijën që është subjekt i dhunës, abuzimit, neglizhimit ose potencialisht i tillë.























