TIRANË, 27 maj/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste Vasilika Hysi deklaroi sot se Prokuroria e Përgjithshme ka plotësuar gjithë rekomandimet e dhëna përmes rezolutës së Kuvendit, në shtator 2018.
Prokurorja e Përgjithshme në detyrë, Arta Marku raportoi sot në një mbledhje të përbashkët para komisionit parlamentar të Ligjeve dhe atij të Sigurisë.
Gjatë kësaj mbledhje, Hysi tha se “në shtator 2018, Kuvendi ka miratuar një rezolutë ku i ka kërkuar Prokurores së Përgjithshme në detyrë të përmbushë disa detyrime që të rrisë efektivitetin e luftës kundër kriminalitetit”.
Ajo theksoi se “në total kanë qenë 13 rekomandime, nga të cilat rezulton se janë përmbushur në mënyrë të plotë 12 rekomandime, ndërsa vetëm 1 është realizuar në mënyrë të pjesshme”.
Rekomandimet, sipas Hysit, kanë të bëjnë me rritjen e efektivitetit të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit, por edhe rritjen e goditjes të trafikut dhe kultivimit të kanabisit.
“Mua më vjen mirë që ju keni evidentuar edhe disa nevoja dhe rekomandime të tjera në raportin tuaj. Reforma në drejtësi nuk është vetëm Vetingu, por ka edhe shumë aspekte të tjera që për fat të keq nuk i është dhënë vëmendja e duhur”, iu drejtua Hysi Prokurores së Përgjithshme në detyrë, Arta Marku.
Ndërkohë kryetarja e komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj u shpreh se raportimi i këtyre institucioneve Kushtetuese në Kuvend është një detyrim ligjor, edhe pse për vite me radhë ka ndodhur që ky raportim të mos merrej seriozisht për shkak të humoreve të drejtuesve të Prokurorisë së Përgjithshme.
“Ky është një trend që duhet ruajtur, pasi është detyrim kushtetues. Reforma në drejtësi ka konsoliduar institucione të reja dhe na duhet të mos kemi vetëm Prokuroren e Përgjithshme në raportim por edhe krerët e KLP-së, KLGJ-së dhe SPAKU-t nesër, për të adresuar më mirë punën tonë”, tha Felaj. /j.p/













