Ballina Flash

Thaçi pret Wilson, flasin edhe për dialogun Kosovë-Serbi

PRISHTINË, 27 maj /ATSH/ – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti zv.presidentin e Atlantic Council, Damon Wilson, së bashku me një delegacion nga Senati dhe Kongresi Amerikan.

Presidenti Thaçi e falënderoi zv.presidentin Wilson për kontributin e vazhdueshëm të Atlantic Council në Kosovë për forcimin e strukturave të sigurisë.

“Në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës përjetësisht për rolin përcaktues të SHBA-së në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Kreu i shtetit dhe delegacioni amerikan biseduan edhe për procesin e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës, fillimisht në Partneritetin për Paqe, më pas edhe në NATO.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe domosdoshmërinë e shfrytëzimit të momentumit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.

“Mungesa e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe i hapë rrugë elementeve antieuropiane”, tha Presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti Damon Wilson rikonfirmoi angazhimin e Atlantic Council për Kosovën.

Thaçi tha se bashkë me SHBA-në do të vazhdojnë angazhimin maksimal për të ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon. /KosovaPress/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLufta kundër krimit, Hysi: Prokuroria e Përgjithshme ka adresuar 13 rekomandimet e Kuvendit
Artikulli tjetërRikthehet në normalitet qarkullimi në bulevardin Vlorë-Skelë