Limaj: Progres në zbatimin e katër marrëveshjeve

TIRANË, 20 maj/ATSH/ – Koordinatori Kombëtar për mbikëqyrjen dhe zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, Fatmir Limaj, theksoi sot në Tiranë se “për katër marrëveshjet që janë arritur në mbledhjen e dy qeverive në muajin nëntor 2018 në Pejë ka pasur progres”.

Në takimin e zhvilluar mes ministrive përgjegjëse për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, të zhvilluar në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Erion Braçe, në fjalën e tij Limaj tha se “gjatë këtij takimi do të shfrytëzojmë rastin për të parë ku jemi me katër marrëveshjet e nënshkruara. Muaji qershor do të jetë afati i fundit në zbatimin e marrëveshjeve të arritura”.

Limaj tha se “shpresoj që kolegët tanë ministra nga dikasteret që drejtojnë, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjet do të na njoftojnë sot për hapat dhe shkallët e zbatimit të katër marrëveshjeve të nënshkruara në Pejë”.

Po ashtu, vijoi ai, edhe drejtuesit e agjencive do të tregojnë sesi po implementohet dhe çfarë problemi ka që më pas ne të raportojmë tek Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për t’iu ndihmuar për eliminimin e ndonjë pengese rrugës.

Limaj bëri të ditur gjithashtu se niveli i komunikimit dhe mbikëqyrjes së realizimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri ka kaluar në një fazë tjetër. /k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.