Ballina Flash

Shkodër/ Çelet panairi i shërbimeve sociale

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Me moton “Së bashku për familjen” u hap sot në Shkodër “Panairi i shërbimeve”, në të cilin u prezantuan shërbimet shoqërore të cilat ofrohen në qendrat komunitare “Për Familjen” të shtrira në territorin e bashkisë.

Panairi u zhvillua në pedonalen “Kolë Idromeno”, në vijim të aktiviteteve në kuadër të 15 Majit, “Ditës Ndërkombëtare të Familjes”.

Panairi ofron informacion mbi shërbimet sociale që ofrohen si; informimi, orientimi, këshillimi, mbrojtja e fëmijëve, klasa prindërimi, grupe të të rinjve, vizita në familje, referimi dhe menaxhim rasti, fuqizimi ekonomik, ndërmjetësimi për punësim, riintegrimi në shkollë, mbështetje pas-shkollore, aktivitete argëtuese, lojëra psikosociale, etj.

Në panair morën pjesë edhe organizata të shoqërisë civile, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe fuqizim të familjes, si “Gruaja te Gruaja”, “Shpresë për Botën” dhe “Observatori për të Drejtat e Fëmijëve”.

Aktivitetet promocionale dhe sensibilizuese u shoqëruan me shpërndarjen e materialeve informuese dhe me lojëra psiko-sociale për fëmijët, facepainting, fotografi, etj.

Një koncert u zhvillua me pjesëmarrjen e fëmijëve nga qendra shumëfunksionale “Për Familjen” në kuadër të projektit Reload.

Panairi do të vazhdojë prezantimin e shërbimeve edhe në ditët në vazhdim me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin edhe të organizatave të shoqërisë civile aktive në territor.

/m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – 110,7 milionë dollarë për një pikturë të Monet
Artikulli tjetërPARIS – Franca dhe Zelanda e Re kërkojnë mobilizim botëror kundër dhunës në internet