Ballina Aktualitet

Marku – prokurorëve: Zbatoni rekomandimet, bashkëpunoni me institucionet ligjzbatuese

TIRANË, 13 maj /ATSH/ – Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku kërkoi sot nga drejtuesit e Prokurorive që të zbatojnë rekomandimet e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar.

Gjithashtu ajo kërkoi bashkëpunim nga ana e Prokurorive në rrethe me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Duke folur në takimin me Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku u prezantuan rekomandimet e Këshillit të Ministrave për vitin 2019, në luftën kundër kriminalitetit, Marku theksoi se, “këto rekomandime janë mjaft të rëndësishme dhe prokurorët, duhet që veç të tjerave të orientojnë punën e përditshme në zbatim të tyre”.

“Në zbatim të rekomandimeve Prokurori i Përgjithshëm ka detyrën të nxjerrë udhëzime dhe po kështu Prokurori i Përgjithshëm monitoron zbatimin e këtyre udhëzimeve”, tha ajo.

Marku kërkoi nga drejtuesit e Prokurorive që të zbatojnë këto rekomandime dhe të dokumentojnë masat e marra në zbatim të tyre, pasi është një informacion që i kërkohet periodikisht Prokurorit të Përgjithshëm nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë.

“Pa një informacion të saktë prej jush, ju e kuptoni që është e pamundur që të kemi një informacion të saktë për ministrin”, tha Marku.

Gjithashtu Marku kërkoi prej tyre të vlerësojnë me seriozitet situatën në të cilën ushtrojnë funksionin, në secilin prej rretheve.

“Duke vlerësuar në kohën e duhur informacionet që ju vijnë nga agjencitë ligjzbatuese, duke i analizuar këto informacione në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit”, theksoi Marku.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme nënvizoi se, “duhet të kemi të qartë të gjithë që asnjë institucion nuk funksionon i vetëm dhe i shkëputur nga institucionet e tjera. Aq më pak nuk funksionon në këtë mënyrë Prokuroria. Bashkëpunimi është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në punën tonë, por edhe një detyrim ligjor të cilit ne nuk mund t’i shmangemi”.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLufta kundër krimit të organizuar, prioritet i institucioneve të Drejtësisë
Artikulli tjetërARMENI – Ish-presidenti Kotcharian para drejtësisë me akuzën për grusht shteti