SHKUP, 7 maj /ATSH-AA/ – Papa Françesku mbërriti sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku u prit nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov dhe kryeministri, Zoran Zaev.
Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në vend, u organizua një pritje me nderime solemne ushtarake.
Ekipi organizues i vizitës së papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut njoftoi se pas mbërritjes së papës në Shkup, në pallatin presidencial “Villa Vodno” do të mbahet ceremonia zyrtare e pritjes, pas së cilës do të zhvillojë takime të ndara me presidentin Ivanov dhe kryeministrin Zaev.
Në kuadër të vizitës së tij, gjatë ditës në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në qendër të Shkupit, papa do të takohet me udhëheqësit fetarë dhe të afërmit e Nënë Terezës, ndërsa më pas do të takohet edhe me një grup qytetarësh.
Në sheshin qendror të Shkupit, papa do të mbajë meshën e shenjtë, ku është paralajmëruar prania e mijëra qytetarëve nga vendi, ndërsa më vonë do të drejtohet në Kishën Katolike të Shkupit, ku do të zhvillojë takime ndërfetar me të rinjtë, si dhe takime me priftërinjtë dhe familjet e tyre.
Më pas, ai do t’i drejtohet sërish Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, nga ku zyrtarisht do të përfundojë vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut./ /os/ a.jor.





















