TIRANË, 2 maj/ATSH/ Punimet në Bulevardin e Ri të Kasharit janë drejt përfundimit, një investim që do të garantojë infrastrukturë sipas standardeve për 80 mijë banorët e Kasharit.
Kryeministri Edi Rama solli pamje nga ky investim i ri që po i shtohet bashkisë së Tiranës, duke sjellë zhvillim për këtët zonë.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga Bulevardi i ri i Kasharit në Tiranë, punimet për të cilin janë pranë përfundimit, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Falë investimit të bashkisë së Tiranës, rreth 80 mijë banorë të Kasharit do të kenë një bulevard me të gjithë elementët e standardet e nevojshme.
Pas Bulevardit të Ri, kryeqytetit po i shtohet një tjetër bulevard, këtë herë në periferi të tij i cili pritet t’i japë zhvillim të gjithë zonës.
Bulevardi i Kasharit do të ketë dy korsi për secilin kah lëvizjeje, korsi biçikletash dhe rrugë për këmbësorët.
Ndërkaq, në këtë bulevard me përmasa moderne, janë të përcaktuara zonat për gjelbërim, trotuaret, korsia e biçikletave dhe itinerari ku do të lëvizin makinat.
Me përfundimin e punimeve për bulevardin e Kasharit, i cili lidhet me “Unazën e re”, pritet që të reduktohet trafiku i rënduar që krijohet në zonë./m.m/























