TIRANË, 26 prill/ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati gjatë aktivitetit “Bashkia që Duam” të zhvilluar këtë të premte në qytetin e Shkodrës, u shpreh se ky qytet i cili për 30 vite është udhëhequr nga Partia Demokratike është shumë larg potencialit të saj të vërtetë.
Sipas deputetit Bushati, Shkodra e sotme i ngjason Shkodrës së rrënuar para 300 viteve.
“Unë kam qejf që të flas sot disa fjalë për Shkodrën që duam, e cila është më shumë sesa bashkia që duam, sepse është gjëja më e thjeshtë për të vizatuar atë që ka bërë bashkia e Shkodrës sot për sot, apo ato që ka bërë PD për këtë qytet gjatë gjithë këtyre 30-viteve që ka pasur besimin e pakushtëzuar nga qytetarët e Shkodrës. Shkodra ka nevojë që të ecë me hapin e shokëve dhe shoqeve të saj. Shkodra është i vetmi qytet shqiptar me statute që në kohën e Mesjetës, të ngjashme me qytetet që kanë lënë një emër në historinë e njerëzimit. Ku është Shkodra sot? Natyrisht që Shkodra sot është larg Lulëzimit që duhet të kishte, larg potencialit të saj. Ku është Shkodra sot? Dhe si mund ta krahasojmë Shkodrën ndoshta jo me shekullin XIV, po i referohemi historive të para 300 viteve dhe ndoshta At Zef Pllumi e ka përshkruar më mirë se sa do ta përshkruanin historianët shqiptarë para 300 viteve. Shkodra sot është i ngjashëm me rrënimin e para 300 viteve, kur një burrë i mençur Mehmet Pasha do t’’i bënte bashkë myslimanë dhe të krishterë për zhvillimin e Shkodrës”, – u shpreh ai.
Përpara banorëve të zonës së Shkodrës, Bushati theksoi se tashmë ka ardhur koha për të hapur një kapitull të ri për këtë qytet, për të nxjerrë në pah potencialin e vërtetë të kësaj zone.
“Ky është momenti final për të hapur një dritare të re, një kapitull të ri për Shkodrën që duam. Një kapitull të ri për Shkodrën që duam, që do të thotë Shkodra një qytet me rrugë të përfunduara siç duhet, deri në Velipojë. Me një ndërlidhje mes Shkodrës dhe Ulqinit përmes Bunës. Në një ndërlidhje mes Shkodrës-Shëngjinit dhe Ulqinit që do ta rivitalizonte shumë pjesën e Europës Adriatike për shkak të potencialit të lartë të saj dhe që do t’i bashkonte më shumë shqiptarët, pavarësisht ku ata jetojnë. Ta nxjerrim liqenin nga gjumi dhe ta bëjmë siç është Buna dhe siç duhet të jetë Buna, por për ta lidhë me pjesën e Malësisë së Madhe, Malit të zi dhe për ta bërë atraksionin kryesorë turistik. Për ta bërë këtë, duhet të përfundojmë dhe të ecim me ritme të shpejta për projektin e Shirokës, siç ka ecur projekti i Velipojës. Shkodra që duam është shumë larg me Shkodrën që është sot për sot”, – vijoi ai.
Sipas tij, investimet e qeverisë në këtë qytet nuk janë kthyer në ekonomi për qytetarët shkodranë, duke sjellë si shembull ndërtimin e stadiumit “Loro Boriçi”.
“Nuk diskutohet përgjegjësinë kryesore e ka PD, por edhe ne kemi përgjegjësitë tona. Nuk jam i kënaqur me atë çfarë kemi bërë për Shkodrën. Stadiumi nuk është kthyer në ekonomi për qytetin. Në Shkodër në çdo lagje, në çdo familje unë ndjej të njëjtën kërkesë, nevojën dramatike për më shumë investime. Zgjedhjet vendore janë instrumentet e duhura për të punuar me njerëzit, në mënyrë që në Shkodër të kemi drejtimin e bashkive pas 30 viteve, në mënyrë që së bashku me qeverinë qendrore, të kemi mundësi ta bëjmë edhe në Shkodër. Unë e di që shumë prej jush kanë folur për transferimin e Drejtorisë rajonale të Arsimit në Shkodër, drejt Lezhës. Ne kemi përgjegjësinë, detyrimin për të punuar për njerëzit, për ata që na kanë votuar, por edhe ata që na shikojnë me skepticizëm për të ofruar më shumë shërbime”, – përfundoi ai.
/e.caushi/























