Ballina Aktualitet

Cakaj përgëzon Kosovën për udhëheqjen e Fondit të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 13 prill/ATSH-Megi Zonja/ Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Fondit të Ballkanit Perëndimor. Ky takim u organizua në Varshavë nga Presidenca e radhës e Kosovës.

Në fjalën e tij, ministri Cakaj përgëzoi autoritetet e Kosovës për punën dhe angazhimin gjatë Presidencës së Fondit.

Cakaj vlerësoi gjithashtu se pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në këtë organizatë është dëshmi e kontributit të vazhdueshëm të saj në rajon. Bashkëpunimi rajonal është një përbërës i rëndësishëm për përshpejtimin e proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më tej, Ministri Cakaj theksoi se Shqipëria, si vend pritës i Fondit të Ballkanit Perëndimor por edhe i Zyrës së Bashkëpunimit Rajonal për të Rinjtë, është e angazhuar që këto dy organizma të rëndësishëm të kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërlidhjen midis shoqërive civile, rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe njerëzore, forcimin e sigurisë dhe rritjen e stabilitetit në gjithë rajonin.

Takimi miratoi edhe projektet rajonale në kuadër të Thirrjes së Dytë të Fondit të Ballkanit Perëndimor. Për Shqipërinë, si për çdo vend anëtar të Fondit, u shpallën katër projekte fituese.

Gjatë Konferencës u theksua se tashmë Fondi i Ballkanit Perëndimor po konsolidohet gjithnjë e më tepër si një mekanizëm i rëndësishëm dhe me impakt në rritje në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e urave të reja të besimit mes shoqërive dhe vendeve të rajonit.

Cakaj falenderoi vendet e Grupit të Vishegradit për mbështetjen që kanë dhanë në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të Fondit të Ballkanit Perëndimor dhe ripërsëriti kërkesën për vijimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Në vazhdim, ai përsëriti thirrjen për mbështetje financiare për Fondin nga partnerët evropianë, donatorët e ndryshëm, dhe veçanërisht nga Bashkimi Europian.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZbatimi i ligjit antiduhan dhe alkoolit, 1721 kontrolle në një muaj nga Inspektorati Shëndetësor
Artikulli tjetërFIZIKË – Kryhet hapi i parë drejt mjeteve hapësinore super të shpejta