Efektivët e Policisë Ushtarake në aeroportin e Rinasit

TIRANË, 12 prill /ATSH/ – Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka publikuar një foto nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku shihen efektivët e Policisë Ushtarake të vendosur në perimetrin e sigurisë.

Duke iu përgjigjur interesimit të medieve një ditë më parë pas takimit me drejtues të Forcës Ajrore, të Policisë Ushtarake dhe Forcave Speciale, ministrja e Mbrojtjes tha se, ligji nr. 8543, datë 4.11.1999 “Për ratifikimin e marrëveshjes për statusin e NATO-s dhe personelit të saj”, detyron vendin tonë, që të garantojë në çdo moment përdorimin e aeroporteve, rrugëve dhe infrastrukturës tjetër të nevojshme për Aleancën e NATO-s.

“Deri në rivendosjen e masave të sigurisë dhe moscenimit të aeroportit, Forcat tona të Armatosura do të garantojnë infrastrukturën kritike dhe objektet e rëndësisë së veçantë, në këtë rast, Komandën e Forcës Ajrore dhe aeroportin, të cilat janë në funksion të NATO-s, misionit të saj, lëvizjeve të saj”, – tha të enjten ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, teksa inspektoi punën e forcave ushtarake në Aeroportin e Rinasit./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.