TIRANË, 8 prill/ATSH/ Prodhimet 100% shqiptare janë tashmë të pranishme në tregjet botërore si në Holandë, Angli, Gjermani dhe deri në Zelandën e Re, kjo falë edhe skemave mbështesë të qeverisë që fuqizojnë kompanitë e agropërpunimit.
Falë mbështetjes së qeverisë, një kompani agropërpunimi në tregtimin e hudhrave ka rritur prodhimin nga 200 kg, në 2 tonë në ditë, duke punësuar kështu 70 persona.
Kryeministri Edi Rama solli sot shembullin e kësaj kompanie përfituese nga fondet e Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor e Rural.
“Mirëmëngjes dhe me këtë shembull domethënës të suksesit në agropërpunim, falë edhe mbështetjes financiare të qeverisë, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.
Administratori i kësaj kompanie shprehet se, “të rrisësh prodhimin nga 200 kg në ditë në 2 ton në ditë mund të duket një ëndërr e pamundur, por falë ndihmës së AZHBR-së është bërë realitet”.
“Investimet e realizuara në pajisje, duke rritur dukshëm kapacitetet tona, bëjnë që prodhimet 100% shqiptare të jenë të pranishme në tregjet botërore si në Holandë, Angli, Gjermani dhe deri në Zelandën e Re. Kudo të ndodheni në botë, së shpejti do të gjeni një copëz Shqipëri, në çdo treg ku ofrohen prodhime bio, cilësore dhe të shijshme”, thotë ai. /m.m/























