FOTO/ Fundjava, dy premiera për publikun e vogël

TIRANË, 1 prill /ATSH/ – Fundjava teatrore për vogëlushët ishte mjaft argëtuese me dy shfaqjet me të reja për ta “Ferdinand” dhe “Mendjet e vockla” të cilat i shoqëruan ata në Teatrin Kombëtar Eksperimental ”Kujtim Spahivogli”.

Dy shfaqjet premierë për të vegjlit përmes argëtimit i përcollën atyre dhe mesazhe sensibilizuese mbi shoqërinë, guximin dhe dashurinë.

“Ferdinand” është një histori aspak si të tjerat, një histori që flet për guximin, dashurinë dhe mbi të gjitha për miqësinë. Kjo është historia e Ferdinandit, një Dem i vogël me zemër të madhe, një dem që nuk i pëlqen të ndeshet por i pëlqejnë lulet. Kur Ferdinandin e ngatërrojnë për një bishë të frikshme, e kthejnë në fermën e demave. A do mundet ai të kthehet në shtëpi dhe të ndryshojë gjërat një herë e përgjithmonë? Një histori plot aventura, aksion dhe ritëm. Personazhe fantastike, në rrethana të jashtëzakonshme.

“Mendjet e vockla” solli për publikun e vogël historinë e Rreg dhe Ullsi, dy vogëlushë që jetojnë mes rregullave, disiplinës dhe korrektësisë absolute. Por ja që një ditë, në shtëpinë e tyre jashtëzakonisht të pastër, u vjen për vizitë një zotrush i veçantë nga qyteti “Kotësia e Kotë” dhe pikërisht nga lagjja që ndodhet mu në qendër të qytetit, që quhet “Lagjja e Budallenjve”.

Ai është aq i çuditshëm saqë ecën mbrapsht, flet mbrapsht, ushqehet mbrapsht, mendon mbrapsht, por sidomos bën një qejf të paparë mbrapsht. Kjo krijesë e këndshme dhe mjaft argëtuese, edhe pse paksa e mbrapsht, shoqërohet me ardhjen e dy superëmbëlsirave nga “Lagjia e Sheqerit”, të cilat thyejnë dietën ushqimore të fëmijëve. Gjithashtu edhe Zonja Loloja, që vjen nga “Lagjia e Lojërave”, e cila është aq e zonja saqë organizon lojëra gjatë gjithë ditës. Mes lojërave të pafundme, rrëmujës dhe thyerjes së të gjitha rregullave, fëmijët arrijnë të kuptojnë gabimet e tyre. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.