Zgjedhjet vendore në afatin e caktuar

TIRANË, 28 mars/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “hyn opozita në zgjedhje apo nuk hyn në zgjedhje, zgjedhjet vendore do të bëhen në afatin e caktuar dhe ne do të marrim përsipër të qeverisim dhe aty ku ata kanë qeverisur deri më sot”.

Në fjalën e tij në Kuvend, Kryeministri theksoi se “do të qeverisim shumë më mirë, edhe për ata që nuk na kanë votuar dhe përsëri nuk do të vijnë të na votojnë”.

“Ne jemi gati, që atyre meqë kanë vulat akoma edhe për ca kohë, vulat e partive t’u njohim të drejtën e vulës mbi propozimin, t’u njohim edhe të drejtën e vetos po të duan. Por nuk do presim gjatë, do të presim aq sa është e arsyeshme, sepse nuk do e lëmë veten në dorë të gjykimeve subjektive në qershor nga ana e Këshillit Europian, se ata s’duan të vijnë. Ata nuk i duan negociatat”, – nënvizoi Rama.

Sipas Ramës, ata mendojnë dritëshkurtësisht se duke bërë këtë që po bëjnë, do të pengojnë çeljen e negociatave.

“Ata nuk i duan negociatat. Ata mendojnë dritëshkurtësisht se, duke bërë këto që po bëjnë, do të pengojnë çeljen e negociatave. Këtë mund ta ndikojnë, por pjesa tjetër e mendimit dritëshkurtër, se duke mos u çelur negociatat, ata pastaj do e kenë më të lehtë të marrin pushtetin, është thjesht dëshpërim”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.

Natyrisht, vijoi Rama, Shqipërisë nuk i bëhet nder nëse siglat e atyre partive që janë jashtë nuk janë në fletën e votimit në zgjedhjet vendore, por qederin më të madh ata ia kanë bërë dhe do ia bëjnë vetes.

“Sot dhe në vijimësi do dëgjojmë avazin “nuk hyjmë në zgjedhje”. Është punë e tyre. E mira e tyre është të hyjnë në zgjedhje. E keqja e tyre është të mos hyjnë në zgjedhje. Natyrisht, Shqipërisë nuk i bëhet nder, nëse siglat e atyre partive që janë jashtë, nuk janë në fletën e votimit në zgjedhjet vendore, por qederin më të madh ata ia kanë bërë, ia bëjnë dhe do ia bëjnë vetes. Hyjnë ata në zgjedhje, s’hyjnë ata në zgjedhje, zgjedhjet vendore do të bëhen në afatin e caktuar dhe ne do të marrim përsipër të qeverisim edhe aty ku ata kanë qeverisur deri më sot dhe do të qeverisim shumë më mirë se ata, edhe për ata që ne nuk na kanë votuar dhe përsëri nuk do vijnë të na votojnë”, tha ai.

“Ideja se këtu do ketë ndonjë zhvillim dhe se do bëhet ndonjë përmbysje e rregullave të lojës, apo do bëhet ndonjë kompromis, ku do futet si pjesë e kompromisit mandati që shqiptarët i kanë dhënë Partisë Socialiste për të qeverisur e vetme, pa të tjerë në prehër, deri në vitin 2021, është një ide ngushëlluese për të ridalë prapë te gardhi të enjten tjetër. Por më shumë se kaq nuk vlen dhe më larg se kaq nuk çon. Është një ide thjesht e vetëm për të ndenjur te gardhi. Këtu në Parlament nuk i fut dot ajo ide më ata, para qershorit të vitit 2021., – theksoi Kryeministri. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.