Ballina Flash

Pakti për Universitetin, studentë ekselentë punësohen në ISSH

TIRANË, 25 mars/ATSH/- Gjashtë studentë ekselentë që kanë zgjedhur të punojnë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, nisën sot ditën e parë të punës pranë këtij institucioni.

Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, priti në një takim studentët e ekselencës, të cilin e cilësoi jo vetëm takim kortezie, por nga dita e sotme ata kanë folur si kolegë.

“Së bashku me drejtues të tjerë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pritëm sot grupin e studentëve, të cilët rrugëtimin e gjatë të karrierës së tyre kanë zgjedhur ta nisin në ISSH. Është kënaqësi për mua që të jap mbështetjen maksimale për këto vajza të talentuara duke shpresuar që ashtu siç kanë shkëlqyer në universitet, të shkëlqejnë edhe në fushën e sigurimeve shoqërore”, theksoi Hado.

“Në kuadër të ‘Paktit për Universitetin’ po zbatohet një procedurë e re, e cila mbështet studentët ekselentë në të gjithë sektorët. Të punësuarit në pozicione të shërbimit civil, pas një viti mund të konkurrojnë për t’u bërë pjesë e shërbimit civil sipas rregullave të legjislacionit të shërbimit civil, ndërsa të punësuarit në institucionet në të cilat marrëdhëniet e punës rregullohen me kod pune, mund të vazhdojnë të punojnë në të njëjtat pozicione pune, pas këtij viti të parë. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – ”Allgemeine Zeitung”: May nuk duhet të jetë më kryeministre
Artikulli tjetërRrjet i ri ujësjellësi në dy lagje të tjera të kryeqytetit