Ballina Flash

Biblioteka e Beratit mbledh nxënësit pranë librit

TIRANË, 18 mars/ATSH/ – Në mjediset e bibliotekës “Vexhi Buharaja” nxënësit e klasës së dytë të shkollës 9-vjeçare “Zihni Toska” u bënë sot pjesë e projektit “Të lexojmë një përrallë”.

E ftuar e radhës ishte Mirela Buhuri, menaxhere e Projektit Rajonal të Mbetjeve të Ngurta, e cila u lexoi fëmijëve pjesë nga “100 përralla klasike”, “Shtëpia e arushëve” dhe disa fragmente nga libri enciklopedik për fëmijë “Përse? Vështro botën përreth”.

Rrëfimi interesant dhe bota magjike e përrallave tërhoqën vëmendjen dhe kureshtjen e fëmijëve. Pas aktivitetit, nxënësit vizituan mjediset e bibliotekës.

Biblioteka publike “Vexhi Buharaja” vijon të ngjallë interesin e çdo moshe, por ata që e frekuentojnë më shpesh janë nxënësit e shkollave dhe studentët. E gjitha kjo falë ndryshimeve infrastrukturore që janë bërë në këtë bibliotekë, fondit të saj të pasur dhe përkushtimit të përditshëm të punonjësve të saj./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLehtësimi i barrierave tregtare, rritje eksporteve drejt Kosovës
Artikulli tjetërHetimi i prokurorëve, Marku: Kuvendi të miratojë sa më shpejt ndryshimet ligjore