Rikthehen reshjet e dëborës, ARRSH: Akset kryesore të kalueshme

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Gjatë natës ka pasur reshje bore në veri dhe juglindje të vendit. Kompanitë e mirëmbajtjes me mjetet borëpastruese dhe fuqi punëtore kanë qenë në gatishmëri.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në rajonin verior pavarësisht reshjeve të dendura të borës, në akset kryesore nuk ka probleme me qarkullimin.

ARRSH këshillon drejtuesit e automjeteve për qarkullimin me zinxhir në akset; Ura Çerenecit-Stebleve kalimi bëhet (10 km e fundit, 4-5 cm borë, fryn erë dhe herë-herë krijohen duna) dhe në Kuben – Vasije pjesërisht me zinxhirë në 5 km e fundit në lartësi 10-15 cm borë.

Në rajonin qendror dhe jugor të vendit, nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve në akset rrugore.

Drejtuesit e mjeteve duhet të tregohen të kujdesshëm, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ecin me shpejtësi të reduktuar dhe të vendosin zinxhir në akset ku kalohet me zinxhir. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.