TIRANË, 6 mars /ATSH/ Drejtuesi i emisionit “Porta a Porta” Bruno Vespa në Rai1, e pyeti të ftuarin e tij të mbrëmshëm, kryeministrin Rama në lidhje me deklaratat e opozitës për zgjedhje të vjedhura në vitin 2017.
“Diçka që nuk e tha shefi i opozitës, po jua kujtoj unë. Pasi u zhvilluan zgjedhjet, vëzhguesit e OSBE-së, ju e dini se kanë thënë që ka pasur rreth 20%…”, tha Vespa.
“Jo jo, nuk është kështu. Në radhë të parë dua të them, që pikërisht për të pasur zgjedhje, që më në fund do të thyenin me traditën e kontestimit pas kontestimit. Nuk është se jemi humbës të mirë ne në përgjithësi, as këtu në Itali nuk jeni. Bëmë një marrëveshje. Unë i thashë mikut tim, liderit të opozitës, çfarë do? Ministrin e Brendshëm mirë, ministrin e Financave, ministrin e Arsimit, ministrin e Shëndetësisë, pra gjysma e qeverisë ishte e opozitës. Para dhe gjatë zgjedhjeve. Për herë të parë maxhoranca e KQZ ishte e opozitës. Për herë të parë, në të gjitha qendrat e numërimit ku ka 50% opozitë dhe 50% qeveri, nuk ka pasur asnjë debat dhe të gjithë firmosën rezultatin”, theksoi kryeministri Rama.
Kryeministri shtoi se “për herë të parë, Kolegji Elektoral, që është një lloji gjykate elektorale, u pagua pa bërë punë, sepse nuk pati asnjë kërkesë nga asnjë parti”.
“ Zgjedhjet u njohën nga të gjithë. Ndërsa unë në këtë marrëveshje kisha vendosur dy kushte, fituesi qeveris, humbësi bën opozitën dhe nuk flitet keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj. Sepse nuk është bukur, gjithë kjo audiencë kërkon të dijë për vendin, do të dijë për sfida, sigurisht që ka shumë gjëra për të bërë dhe tani, sikur të mos dëgjojë mjaftueshëm politikanët italianë, duhet të më dëgjojë edhe mua dhe atë tjetrin të grindemi këtu. Nuk shkon, sepse në fund çfarë thonë, këta këtu janë më keq se tanët. Jo nuk jemi më keq, jemi njësoj. Jemi njësoj me tuajt”, vuri në dukje kryeministri Rama. /j.p/























