Ballina Flash

Arsimi parauniversitar, hartohet manuali për Shërbimin Psikosocial

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në Kryeministri organizoi për herë të parë takimin me fokus “Shërbimi psikosocial në arsimin parauniversitar”, të përqendruar kryesisht te fuqizimi i rolit të psikologut në shkolla.

Shumë shpejt pritet të hartohet “Manuali për Shërbimin Psikosocial në Arsimin Parauniversitar” dhe “Protokolli i Psikologut të Shkollës”, që do të standardizojnë këtë shërbim në të gjithë vendin.

Në këtë tryezë morën pjesë psikologë të shkollave të Tiranës, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Urdhri i Psikologut, Drejtoria Arsimore Tiranë dhe organizatat partnere të shoqërisë civile që punojnë për fëmijët dhe shëndetin mendor.

Çështjet kryesore që u diskutuan në takim, ishin roli aktual i psikologut në shkolla dhe sa efektiv ka qenë ai, problematikat dhe vështirësitë që hasen në terren nga psikologët e shkollave, numri i lartë i nxënësve dhe territori i gjerë që një psikolog shkolle mbulon aktualisht. Gjithashtu u diskutua mbi cilësinë e shërbimit psikosocial, standardizimi e unifikimi i këtij shërbimi, përmirësimi i legjislacionit dhe mekanizmat e referimit dhe shërbimi i specializuar.

/a.a/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakINFORMATIKË – “Facebook” premton më shumë siguri për të dhënat personale
Artikulli tjetërPARIS – OSBE: Italia me rënie ekonomike në 2019