https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2045807712202184/
TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Vëmendja që qyteti i Përmetit ka marrë përmes investimeve madhore në vitet e fundit, ka bërë që banorët e zonës, të larguar në emigracion, ose në qytete të tjera, të rikthehen dhe të investojnë në krijimin e bujtinave dhe hoteleve familjare, duke e kthyer turizmin në kryefjalën e zhvillimit të tyre ekonomik.
Ruajtja e traditës është qëllimi kryesor i këtyre investimeve. I tillë është edhe rasti i të riut Arbër Goga, i cili ka marrë iniciativën të blejë një ndërtesë të vjetër, tipike përmetare dhe ta kthejë në një hotel tradicional.
Gjatë vizitës së tij në Përmet, Kryeministri Edi Rama u ndal në bujtinën e Arbrit që ndodhet në Qendrën Historike të qytetit.
“Kjo është si një dallëndyshe që lajmëron mundësinë e një pranvere, në qoftë se njerëzit e ndjejnë dhe e ndjekin këtë shembull”, – u shpreh Kryeministri, duke vlerësuar pamjen e saj që në hyrje.
Arbri shpjegon se shtëpia është shumë e vjetër dhe i përket lagjes së dikurshme të tregtarëve, që ofron një arkitekturë tejet të veçantë dhe karakteristike. Arbri ka punuar në emigracion në sektorin e turizmit dhe mendon se e ardhmja më e mirë për të është pikërisht investimi në këtë fushë.
“U bënë rreth 3 vjet e gjysmë që jam kthyer nga Italia me idenë për të zhvilluar turizmin sepse është fusha që unë kam punuar. Kam jetuar këtu në Përmet, një qytet i mrekullueshëm, në pak qytetet e Shqipërisë që mund të ofrojë një arkitekturë të tillë. Kjo ka qenë një shtëpi tregtarësh e fundit të viteve ‘800 dhe fillimit të viteve ‘900, siç ka qenë gjithë lagjja që merreshin me tregti. Është një nga objektet më të vjetra të lagjes dhe u ka rezistuar kohërave”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi idetë dhe investimin e Arbrit dhe u shpreh se po punohet për një program të posaçëm për të mbështetur financiarisht shtëpitë që kthehen në bujtina, në zonat urbane.
“Ne po diskutojmë që të bëjmë një program të veçantë sepse kemi program mbështetje për ferma, për agropërpunim, për sera, për bujtina në fshat, por nuk kemi një program për qytetin. Këto shtëpitë e traditës që janë pasuri kulturore, siç janë në Gjirokastër apo në Berat, nuk kanë asnjë suport, si suporti që kanë në fshat”, tha Rama.
Për këtë, sipas Kryeministrit po mendohet për një program, që nga njëra anë të bëhet zero taksa e tatimit mbi fitimin, ndërkohë që do të ketë 6% TVSH, sepse është hotel.
“Është një ndihmë e madhe. Duke e pasur tatimin mbi fitimin zero dhe duke vendosur një fond në dispozicion për suport mbështetje pjesore do të ishte mirë. Me këtë jemi duke punuar. Kjo për të stimuluar edhe njerëzit që rrinë dhe i mbajnë kot, ose që duan t’i ndryshojnë dhe nuk kanë mjete, ose kanë pak mjete financiare dhe për t’i dhënë një përqindje të financimit, bazuar në kritere dhe kushte të caktuara”, shtoi Rama./m.m/e.caushi/























