Tragjikomedia e një force të shteruar moralisht e mendërisht

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/- Zëdhësja e Qeverisë dhe ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cilësoi si tragjikomedinë e Partisë Demokratike, vendimin e opozitës për lënien e mandateve dhe përjashtimin nga PD, të deputetit Myslym Murrizi që nuk iu bashkua dorëzimit të mandateve të opozitës.
“Dje, kolegu Myslym Murrizi e përmblodhi në një fjali të gjithë thelbin e logoresë së ish-kolegëve opozitarë: U nisën të rrëzojnë Ramën dhe më rrëzuan mua!
Për të vajtuar me kujë e për të qeshur me lot, ky teatër i madh dëshpërimi nga pafuqia për të fituar zgjedhjet e radhës dhe frikë nga pjella e mallkuar e reformës në drejtësi, prokuroria speciale antikorrupsion! E cila pasi u del ne ëndërr qyshse u detyruan të votojnë reformën, u është bërë hije tani që i erdhi ora te lindë prej vërteti”- tha Spiropali.
Dëshpërimi e frika, theksoi ajo, e nxorën përfundimisht jashtë kontrolli lidershipin opozitar dhe jashtë parlamenti pa kthim grupin tonë kundërshtar. “Pasi bëri vertikalen dhe horizontalen, për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve të shkuara, Lulzim Basha s’kishte më asnjë mundësi të justifikonte atë të zgjedhjeve që vijnë. Kjo bashkë me plakun vizëhequr, që jep shpirt po nga zakoni i vjetër i zjarrvënësit dorë nuk heq, u bënë shkopi dhe baruti i shkrepëses që dogji partinë që solli parlamentarizmin ne Shqipëri”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se si për talljen e madhe të universit, zjarrit të deputetëve të djegur i shpëtoi një deputet i vetëm, të cilin deri dje e njihnin zgjedhësit e tij në Lushnjë dhe kontributorët e Partisë Demokratike, ndërsa sot është në sytë e tërë shqiptarëve mishërimi më kuptimplotë i së vërtetës së kësaj tragjikomedie politike e cila luhet në emër të popullit, po është vënë në skenë nga ata që këtij populli i kanë bërë qindin kur kanë pasur pushtetin dhe i kanë dendur me baltë sytë e veshët, kur e kanë humbur atë.
Spiropali tha se, patjetër që nuk është një e mirë për demokracinë e për parlamentarizmin arratia e plakut me djalin dhe krushqit e kunatit nga detyra e deputetit. Por jo vetëm s’është fundi i botës, po mund të jetë mundësia e madhe e pastrimit të politikës nga kasta e një partie që lindi si alternativa demokratike e Shqipërisë dhe sot vjen vërdallë si fantazma e rrëmujës dhe shkatërrimit të Shqipërisë.
“Sidoqoftë theksoi ajo. është vetëm një fantazëm, e cila i bën dëm imazhit të vendit me kërcënimet e vërdallosjet e saj, po nuk e merr dot më peng vendin. U bën dëm atyre që jetojnë me punë e që duan qetësi, jo tym e rrëmujë, po nuk i kthen dot më në kohën e mbylljes së qepenave nga rënia e ligjit. U bën dëm familjeve pa dallim bindjesh e simpatish politike, që mbi çdo parti e mbi çdo gjë tjetër, duan sigurinë, po përtej sëkëlldisë që i krijojnë njeriut normal çjerrjet e plakut anormal, të djalit antinormal dhe të së shoqes paranormale, s’ka shans për kthim mbrapa”.
Duke komentuar lënien e mandateve të deputetëve opozitarë Spiropali, u shpreh se, Lulzim Basha vendosi të hidhej në humnerën e tradhtisë së votuesve të PD, duke marrë me vete tërë partinë për të justifikuar humbjen e radhës e ruajtur çelësat e kashtës! “Saliu i dha të shtyrën e fundit me shpresën e dëshpëruar se duke bërë kurban partinë, do të ndalë drejtësinë të vijë drejt tij dhe atyre rrotull e poshtë tij! Monika u vajti pas me gjithë shansin për të gjithë, duke shpresuar se këtë ekzil në humnerë e shkroi një dorë hyjnore nga qielli dhe jo dora e plakut të marrë, i cili nënshkroi tamam në 20 shkurt, plot 28 vjet nga shembja e shtatores se Enverit, ikjen e bustit të tij, uroj pa kthim, nga skena e Kuvendit të Shqipërisë”, tha ajo.
“I vetmi që mbeti, është Myslym Murrizi. Si për të mos lënë askënd të dyshojë se e gjithe kjo nuk është drama e Shqipërisë apo e shqiptarëve, po tragjikomedia e një force të shteruar moralisht e mendërisht, që s’mund të kishte fund më të denjë se ky, në kthetrat e një të marri të marrë fund”- tha Spiropali. /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.