Gjirokastër, Tatimet informojnë biznesin për lehtësitë fiskale

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/- Drejtoria Rajonale Tatimore Gjirokastër zhvilloi një takim informues ku u prezantuan ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019.

Në të morën pjesë mbi 30 ekonomistë dhe ekspertë kontabël, të cilët përfaqësojnë pjesën më të madhe të tatimpaguesve të këtij rajoni.

Ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve referuan për pjesëmarrësit ndryshimet kryesore në legjislacionin tatimor, që kanë të bëjnë kryesisht me Procedurat Tatimore, Tatimin mbi të Ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Taksat Kombëtare.

Drejtori i DRT Gjirokastër Ilir Meta gjatë fjalës së tij, tha se tatimpaguesit e këtij rajoni, në çdo kohë mund të marrin informacionin dhe asistencën e nevojshme për të kuptuar sa më mirë ndryshimet ligjore që kanë hyrë në fuqi. Biznesi është duke u informuar edhe në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tyre nga punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve, të cilët po shpërndajnë broshura dhe materiale informuese.

Nga ana e përfaqësuesve të biznesit u vlerësua angazhimi profesional i Administratës Tatimore për të informuar mbi çështje të veçanta ligjore që prekin zhvillimin e sipërmarrjes së tyre, për të cilat u bënë edhe propozime konkrete. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.