Balla në kongresin e Partisë Socialiste Europiane: Për progresistët, dhuna ndaj institucioneve e papranueshme

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialsite, Taulant Balla mori pjesë në Kongresin Elektoral të Partisë Socialiste Europiane, ku dhe u takua me zyrtarë të lartë të Partive Socialiste Europiane me të cilët diskutoi mbi situatën politike në vend.

Sipas tij, “për progresistët europianë ngjarjet e një jave më parë në Tiranë, përdorimi i dhunës kundër institucioneve të shtetit, e nxitur haptazi dhe me forcë nga lidershipi i opozitës, si një metodë për marrjen e pushtetit dhe një përpjekje për delegjitimizimin e proceseve demokratike në Shqipëri është diçka e papranueshme dhe e patolerueshme. Ndryshimi i qeverisë në çdo demokraci mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve, e jo përmes kërcënimeve, bojkotit apo dorëheqjeve nga mandatet, e kurrsesi përmes përdorimit të çfarëdo forme të dhunës”.

Balla shprehet se qëndrimi i tyre është i qartë se asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane.

“Në Shqipëri kjo krizë artificiale politike e iniciuar nga dy parti të opozitës nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e reformës në drejtësi, e cila është themelore për zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë dhe për procesin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë”, – tha ai.

Balla bëri të ditur se, Kongresi Elektoral i Partisë Socialiste Europiane, ku socialistët shqiptarë janë anëtarë, i dha sot mbështetjen kandidatit të përbashkët për President të Komisionit Europian Frans Timmermans.

“Aktualisht Zëvendës President i Komisionit Frans Timmermans, por edhe në detyrën e mëparshme si Ministër i Jashtëm i Hollandës, mbetet një europeist i paepur, por dhe një mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në familjen europiane”, shprehet Balla.

Ndërsa nënvizon faktin se gjatë punimeve të Kongresit, ku merrnin pjesë kryeministra dhe liderë të socialdemokracisë europiane, u takua dhe zhvilloi biseda me Presidentin e PES Sergei Stanishev, Presidentin e Grupit Socialist dhe Demokrat ne Parlamentin Europian Udo Bullmann dhe sigurisht me Zëvendës Presidentin e Komisionit Europian Frans Timmermans. /j.p/

 

e.xh/ 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.