MYNIH, 16 shkurt /ATSH-DPA-ANSA/ – Grupime si NATO-ja janë të rëndësishme për stabilitetin global, në një botë ku rreziku është gjithmonë i pranishëm, deklaroi sot kancelarja gjermane, Angela Merkel në fjalimin e saj në Konferencën ndërkombëtare për Sigurinë që po zhvillohet në Mynih.
“Ne kemi nevojë për NATO-n si një spirancë stabiliteti në kohëra të turbullta. Ne kemi nevojë për të si një bashkësi vlerash”, deklaroi Merkel, e cila nuk la pa përmendur edhe çështjen e traktatit ruso-ameRikan të raketave, INF.
”Rreziku i prishjes së traktatit INF për raketat, pas vitesh të tëra shkeljesh nga ana e Rusisë është me të vërtetë një lajm i keq. Do të ishte një hap pozitiv që çështje të tilla të mos i takonin vetëm Rusisë dhe SHBA-së, por edhe Kinës”, theksoi ajo.
Merkel shtoi se do të ishte më mirë që Europa ta ruante marrëveshjen e saj bërthamore me Iranin, pasi ajo ishte e vetmja që ekzistonte.
”Duhet t’i shohim me kujdes të gjithë problemet e çështjes iraniane”, shtoi ajo./ a.jor.























