Ballina Bota

POLONI – Duda dhe Pence kurora në ”Murin e Vdekjes” në Aushvic

VARSHAVË, 15 shkurt /ATSH-PAP/ – Presidenti polak, Andrzej Duda dhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence vendosën kurora me lule sot në ”Murin e Vdekjes”, në ish-kampin e përqëndrimit në Aushvic, simbol i shfarosjes së hebrenjve dhe martirizimit të polakëve dhe kombeve të tjera, njoftoi agjencia polake e lajmeve, PAP.

Gjermanët kryen ekzekutimin e parë në mur më 11 nëntor 1941, kur ata qëlluan 76 të burgosur, pothuajse të gjithë polakë. Ata vazhduan ekzekutimet në atë vend deri në fund të vitit 1943, duke vrarë mijëra njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë. Ata e shembën murin në shkurt të vitit 1944.

Muri u rindërtua pas Luftës së Dytë Botërore si një simbol i martirizimit.

Politikanët vizituan një pjesë të ekspozitës së muzeut të Aushvicit dhe më vonë gjatë ditës do të shkojnë në Aushvic II-Birkenau, vendi kryesor i Holokaustit.

Pence vizitoi Poloninë me rastin e konferencës ndërkombëtare, të organizuar bashkërisht nga Polonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kushtuar paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme.

Pence ishte zëvendëspresidenti i katërt në detyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili vizitoi Aushvicin. Para tij kanë qenë George H. W. Bush, Al Gore dhe Dick Cheney./  /os/ a.jor.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Rehovë, dokumentim grafik për restaurimin e kishës së Shën Kollit
Artikulli tjetërBasha: Shqiptarët do të vijnë të bashkuar dhe të vendosur nesër në Tiranë