TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ – Jo vetëm qendrat shëndetësore, por edhe pikat e ambulancave në të gjithë vendin po i nënshtrohen transformimit falë rehabilitimit të tyre. Kështu ka ndodhur edhe me ambulancën e Shënavlashit në Durrës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se transformimi i pikave të ambulancave, do të garantojë akses në shërbime cilësore që në portën e parë të shërbimit shëndetësor, te mjeku i familjes.
Një nga doktorët pranë ambulancës së Shënavlashit, Stavri Mina thotë se falë programit të rikonstruksionit tashmë kushtet janë moderne.
“Më parë kishte lagështirë ndërsa sot është rregulluar për së mbari”, – thotë një paciente. Ndërsa infermierja Neleda Zakova bëri të ditur se më parë kushtet linin shumë për të dëshiruar, ndërsa sot nuk ka asnjë lloj problemi.
Transformimi i ambulancës Shënavlash në Durrës, është pjesë e programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave.
z.tosku/j.p/












