TIRANË, 4 shkurt /ATSH – I. Vata/ – “Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash në bashkëpunim me institucione të tjera ligjzbatuese për të mos lejuar asnjë formë të ushtrimit të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme, ka deklaruar sot zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ftuar sot në emisionin “Wake Up” në Top Channel, ndërsa theksoi se janë proceduar penalisht 50 persona.
Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka bërë një bilanc të punës së policisë për zbatimin e ligjit për lojërat e fatit.
“Nga data 1 janar kemi parë disa raste që janë proceduar për shkelje të ligjit. Kanë qenë në total 6860 kontrolle që janë bërë në vende të ndryshme që ekzistonin më parë, apo dyshoheshin që vazhdonin në mënyrë të fshehtë këtë aktivitet, janë proceduar penalisht rreth 50 persona në gjendje të lirë, pasi po flasim për një kundravajtje penale për të dyja dispozitat e Kodit Penal, si për organizimin, apo vënien në dispozicion të ambientit”, tha ai.
Ai nënvizoi faktin që Policia e Shtetit kishte përgatitur një plan masash për t’i paraprirë situatës pas hyrjes në fuqi të ligjit.
“Para se të hyjë në fuqi ligji, pra më 1 janar, u mbyllën vullnetarisht 4224 pika bastesh sportive, rreth 140 salla kazinosh e salla bingosh. Ka pasur një plan masazh nga Policia për t’i paraprirë situatës së zbatimit të ligjit nga data 1 janar”, tha Lamallari.
Më tej ai shpjegoi bashkëpunimin intensiv që ka policia me agjencitë e tjera ligjzbatuese në zbatimin e këtij ligji.
“Zbatimi i ligjit nuk është vetëm përgjegjësi e Policisë së Shtetit, por janë disa agjenci ligjzbatuese, të cilat ngarkohen me përgjegjësi nga ligji për të siguruar që ligji do të zbatohet. Puna e policisë koordinohet me hetimin tatimor, me AKEP”, Lamallari, ndërsa vlerësoi mbështetjen e qytetarëve për miratimin e këtij ligji. /j.p/























