Ballina Ekonomi

Siguria ushqimore – Çuçi: Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon

TIRANË, 29 janar/ATSH/- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, reagoi sot pas bllokimit të 41.7 tonë banane me cilësi jo të përshtatshme për konsum njerëzor, duke theksuar se “kur vjen fjala tek siguria ushqimore zbatimi i ligjit do të jetë pa kompromis”.

“Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë. Vlerësoj aksionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës për bllokimin e 41.7 tonëve banane me probleme për konsum njerëzor”, thekson Çuçi.

Ministri Çuçi inkurajon të gjithë trupën e inspektorëve të AKU-së kudo në Shqipëri të tregohen vigjilentë ndaj çdo rasti dhe të zbatojnë ligjin me rigorozitet.

Po ashtu, ministri fton qytetarët të jenë bashkëpunes me AKU-në duke denoncuar rastet e produkteve të papërshtatshme për konsum.

“Le të jemi të ndërgjegjshëm se siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët. Krahas punës së AKU-së dhe institucioneve të tjera, kontributi i qytetarëve është i domosdoshëm për të pasur në tregjet tona produkte cilësore”, nënvizoi Çuçi.

Sipas tij, siguria ushqimore është një komponent i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, prandaj ne do të bëjmë çdo pë​rpjekje që shqiptarët të konsumojnë produkte me standarde.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës bllokoi sot 41.7 tonë banane me cilësi jo të përshtatshme për konsum njerëzor. Ngarkesa vinte nga Kosta Rika. Pas konstatimit nga inspektorët e AKU-së ajo u kthye mbrapsht në vendin e origjinës sipas legjislacionit në fuqi. /k.s/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“PSG” prezanton blerjen e re, Paredes
Artikulli tjetërTEKNOLOGJI – Apple ndërhyn për rregullimin e anomalisë tek iPhone