Ballina Bota

BRAZIL – Gjobitet me 66,5 milionë dollarë kompania ‘’Vale’’, rrezikohet shembja e një tjetër dige

RIO DE ZHANEIRO, 27 janar /ATSH-AFP/ – Forcat zjarrfikëse pezulluan të shtunën në mbrëmje kërkimin e të mbijetuarve të bllokuar nga balta dhe gurët pas çarjes së një dige të kompanisë gjigante të minierave ‘’Vale’’ ku regjistrohen 34 të vdekur dhe rreth 300 të zhdukur.

Një nga digat e zonës së Mina Feijão, në Brumadinho (Shteti i Minas Gerais, juglindje) në afërsi të Belo Horizonte u shemb të premten në mëngjes, për arsye ende të panjohura.

Shpresat për gjetjen e persona të zhdukur janë të pakta. Reshjet e vazhdueshme të shiut i kanë bërë edhe më të vështira operacionet e kërkimit një ditë pas katastrofës.

Autoritetet braziliane vendosën të shtunën një gjobë prej 250 milion reais (rreth 66,5 milionë dollarë, 58 milionë euro) kompanisë gjigande të minierave ‘Vale’’, përgjegjëse për mirëmbajtjen e digës së shembur ditën e premte.

Ministria e Mjedisit konfirmoi gjobën e vënë ndaj kompanisë ‘’Vale’’.

Alarmi është vënë përballë rrezikut të shembjes së një tjetër dige në Brumadinho, në juglindje të Brazilit, ndërsa shembja e digës së parë shënoi të paktën 34 të vdekur dhe 300 të zhdukur.

Kompania e minierave ‘’Vale’’ njoftoi në një komunikatë se rreth orës 5:30 të ditës së sotme ka aktivizuar alarmin pas konstatimit të rritjes së nivelit të ujit në digën nr VI, një strukturë që është pjesë përbërëse e minierës Corrego do Feijao. Forcat zjarrfikëse njoftuan se po kryejnë evakuimin e fshatrave fqinjë./ /v.b/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShkodër, rruga e Dukagjinit është rihapur pas bllokimit nga dëbora
Artikulli tjetërDibër, infrastrukturës i shtohet dhe rruga e fshatit Grazhdan