Ballina Aktualitet

Reforma në Drejtësi, proces i pakthyeshëm

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Duke u ndalur tek 21 Janari, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, theksoi se tetë vjet më parë u vranë njerëz që protestonin.

“Nuk ka pasur më parë një mundësi për ata që protestonin që të dëgjohen dhe të respektohen si janë dëgjuar e respektuar protestuesit falë nesh. Sot është 21 janari, këta vranë 8 vjet më parë dhe natyrisht janë akoma të karikuar nga ideja se drejtësia nuk do të vijë”, – theksoi Rama duke iu drejtuar opozitës, e cila braktisi sallën.

“Mendojnë se do vazhdojnë ta pengojnë e ta përmbysin Reformën në Drejtësi, që është pa kthim. 21 Janari mbetet plagë e hapur e pagjykuar deri në fund, ende ata që duhet të jenë pas hekurave janë të pagjykuar, po Shqipëria është ndryshe nga ç’ishte”, – theksoi Kryeministri Rama.

Sipas tij, gjykatësit e 21 janarit nuk janë më gjykatës. Drejtësia e re, tha ai, nuk është thjesht të pushojë nga puna, por që të ketë të akuzuar para Drejtësisë. “Do donim që kjo çështje të ishte e mbyllur, dhe që disa nga ata në këtë sallë të ishin pas hekurave, por ne nuk jemi uzurpatorë të pushteteve, por reformatorë për vendosjen e kontrollit të ligjit mbi të gjithë. Do durojmë këta dhe do të shtyjmë përpara Reformën në Drejtësi dhe gjithë reformat e tjera”, – tha ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPrurjet e reja në Qeveri, Rama: Kjo e bën PS-në thelbësisht të ndryshme nga partitë e tjera
Artikulli tjetërBasha: Opozita dhe PD nisin protestat për t’i kthyer pushtetin qytetarëve