TIRANË, 14 janar/ATSH/ Pavarësisht temperaturave të ulëta, qarkullimi i automjeteve në akset nacionale të Qarkut të Korçës kryhet normalisht, ndërsa në disa rrugë rurale nevojitet qarkullimi me zinxhirë.
Sipas një njoftimi të Prefekturës Korçë, temperaturat gjatë natës kanë qenë -7 gradë C dhe aktualisht janë -2 gradë C.
“Akset rrugore nacionale janë pa probleme dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht. Të gjitha akset rrugore rurale deri në qendrat e njësive administrative janë të hapura dhe qarkullimi i mjeteve kryhet me zinxhirë”, thuhet në këtë njoftim.
Prefektura njofton se po vijon puna për hapjen e rrugëve të fshatrave të Njësisë Administrative Vithkuq: Panarit, Grabockë, Trebickë, Cemericë dhe Katund.
Po ashtu po punohet edhe në fshatrat e Njësisë Administrative Lekas: Marjan, Gjonbabas, Gurmujas; në fshatrat e Bashkisë Kolonjë: Vodicë, Pepellash; fshatrat e Njësisë Administrative Gore: Zvarisht, Dolan, Lozhani i Sipërm, Tresovë, Senisht, Mocan; fshatrat Stërkanj dhe Osnat të Njësisë Administrative Dardhas dhe fshatrave Jolle, Shpellë e Senisht të Njësisë Administrative Velcan, Bashkia Pogradec.
Në shkallë qarku, raportohet se furnizimi me energji elektrike vijon normalisht dhe procesi mësimor ka filluar në orën 09:00 dhe do të vijojë rregullisht.
Sa i takon parashikimit të motit, gjatë ditës së sotme qarku do të jetë i përfshirë nga mot i vranët. Vranësirat do të jenë mesatare deri në të dendura dhe do të shoqërohen me reshje dëbore me intensitet të ulët.
Ngricat do të mbizotërojnë në të gjithë qarkun për shkak të temperaturave negative gjatë gjithë ditës.
Era do të fryjë në drejtim juglindje, me shpejtësi 4 m/sek.
Temperatura minimale gjatë ditës së sotme pritet të jetë -7 gradë C dhe ajo maksimale -1 gradë C./m.m/j.p/























