TIRANË, 10 janar/ATSH-Maela Marini/ “Progresi dhe stabiliteti i Shqipërisë janë të rëndësishme edhe për rajonin dhe Bashkimin Europian”.
Kështu deklaroi sot dekani i ambasadorëve, Miroljub Zaric, në pritjen e përvitshme të organizuar nga Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.
“Në vitin 2018 ne ishim dëshmitarë të shumë ngjarjeve të rëndësishme në Shqipëri. Mendoj që në fillim të këtij viti duhet të jemi të gëzuar me arritjet e Shqipërisë në disa fusha, si në zhvillimin ekonomik e social apo luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, – tha ai.
Sipas Zaric, “rezultate pozitive janë arritur në reformën gjyqësore, si një pikë e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”.
“Nuk ka fare dyshim se ky progres do të arrihet edhe në fusha të tjera dhe do të jetë një pikë shumë e rëndësishme për vijimin e integrimit europian të vendit tuaj”, – tha ai.
Zaric nënvizoi faktin se “duhet të arrihet kuptim më i mirë i pluralizmit dhe të bëhet më tepër sa i takon dialogut parlamentar, duke i parë këto si parakushte për një zhvillim më të shpejtë të shoqërisë shqiptare”.
“Shpresojmë se gjithë politikanët shqiptarë do të kontribuojnë me përpjekjet e tyre më të mira gjatë këtij viti, i cili do të jetë i rëndësishëm për realizimin e përparësive kryesore që kanë të bëjnë me integrimin europian dhe çeljen e negociatave”, – tha Zaric.























