TIRANË, 10 janar /ATSH/ – Prefekti i Gjirokastrës ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme të Komisionit të Planifikimit të Përballimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për të diskutuar mbi situatën e vështirë në të cilën gjendet qarku i Gjirokastrës si pasojë e rënies së reshjeve të dëborës.
Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj, në cilësinë e Kryetarit të KPPECK, ka kërkuar një raport të hollësishëm nga ana e kryetarëve të njësive vendore dhe degëve territoriale për masat e marra mbi minimizimin e të gjitha situatave problematike që janë krijuar gjatë ditëve të fundit në qarkun e Gjirokastrës.
Nisur edhe nga problematikat, shqetësimet dhe telefonatat e banorëve, sidomos të disa barinjve të cilën gjenden në një situatë të vështirë për sa i përket rezervave të bazës ushqimore, prefekti i qarkut sqaron për gjithë opinionin publik se këto problematika së pari duhet të adresohen pranë bashkive të qarkut me qëllim zgjidhjen e tyre.
Kur njësitë vendore e kanë të pamundur dhënien e ndihmës për këta banorë, atëherë këto njësi duhet t’i drejtohen institucionit të prefektit të qarkut për të kërkuar ndihmë pranë institucioneve qendrore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile.
Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj ka dhënë rekomandimet përkatëse për të gjitha institucionet shtetërore, degët territoriale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore të qarkut.
1. Kryetarët e Komisioneve Vendore të bashkive të aktivizojnë të gjitha forcat dhe mjetet që disponojnë për përballimin e situatës së krijuar. Të kontaktojnë me subjektet private dhe konform ligjit te Emergjencave Civile, ti angazhojnë ato për hapjen e rrugëve rurale.
2. OSSHE të marri të gjitha masat për furnizimin e pandërprerë me energji elektrike.
3. Autoriteti Jugor Rrugor të intensifikojë punën për pastrimin e rrugëve duke mundësuar qarkullimin e lirshëm të mjeteve. Për situatën në vazhdim të hedhin skorje dhe kripë.
4. Drejtoria e Policisë Vendore të marri masat për qarkullimin e mjeteve me zinxhirë.
5. DAR të marri të gjitha masat për sigurimin e ngrohjes në shkolla, lëvizjen e nxënësve dhe mësuesve, në bashkëpunim edhe me kryetarët e bashkive.
6. Drejtoria e Shëndetit Publik të marri masat për garantimin e kushteve normale në spitale dhe qendrat shëndetësore.
7. Specialistët e Emergjencave Civile në të gjitha bashkitë të monitorojnë gjendjen aktuale dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me administratorët e njësive administrative, duke raportuar informacione të sakta pranë institucionit të Prefektit të qarkut çdo 4 orë, brenda orës 18:00.
8. Me qëllim përballimin me sukses të situatës së krijuar, t’i jepet prioritet jetës së banorëve, gjësë së gjallë dhe normalizimit të situatës në qark.
Në përfundim të këtij takimi, prefekti i qarkut ka kërkuar angazhimin maksimal të çdo anëtari të Komisionit të KPPECK, intensifikimin e masave mbrojtëse dhe monitorimin e pandërprerë të situatave për përballimin me sukses të gjendjes së rënduar të krijuar në qark. /a.a/ /a.g/






















