Ballina Aktualitet

Verifikim për kandidatët e propozuar si ministra

TIRANË, 9 Janar /ATSH/ -Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka deklaruar se për të gjithë emrat e rinj që propozohen si ministra do të kryhet verifikimi i integritetit të tyre.

Presidenti Meta i është përgjigjur sot në Kavajë interesimit të medias në lidhje me mosdekretimin e shkarkimit të Ministri për Europën dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

“Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën përsa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”, është shprehur Presidenti Meta.

Presidenti Meta ka theksuar se, ‘kjo do të bëhet brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUSI – 13 të vdekur pas temperaturave minus 49 gradë Celsius
Artikulli tjetërRehabilitimi i Gjanicës dhe qendrës kthen Fierin në kantier ndërtimi