Rehabilitimi i Gjanicës dhe qendrës kthen Fierin në kantier ndërtimi

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit është sot fronti më i madh i punës në Fier që që nuk ndalet pavarësisht nga moti.

Ky projekt ka marrë po ashtu vëmendjen maksimale të banorëve të Fierit, të cilët prisnin prej dekadash këtë transformim rrënjësor.

Ndaj dhe Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi e konsideroi këtë një padurim të justifikuar të qytetarëve për realizimin e një ëndrre gati të shuar.

“Rehabilitimi i lumit Gjanica dhe qendrës së qytetit është sot fronti më i madh i punës që nuk ndalet në asnjë moment, pavarësisht orës, ditës dhe motit”, tha ai.

Rehabilitimi i lumit Gjanica, që për çerekshekulli ishte kthyer në burim plehrash e përmbytjesh për qytetin e Fierit, mbetet projekti më madhor i zbatuar në këtë qytet.

Punimet kanë hyrë në një fazë intensive dhe brenda këtij viti, ky projekt do t’i bashkohet hartës së madhe të ndryshimeve në Fier, duke transformuar përfundimisht edhe dimensionin urbanistik të qytetit.

Sipas projektit, janë dy ura mbi lumin Gjanica, ku njëra duket se do të jetë vetëm për këmbësorët. Ndërsa në të gjithë hapësirën e sheshit, do të ketë korsi të dedikuara për biçikletat në krah të trotuareve.

Po ashtu, sheshi ri i Fierit, do të ketë një parkim nëntokësor për të cilin po vijon puna me ritme të larta, me akses në të dy ekstremet e sheshit./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.