Ballina Flash

FOTO/ Gjirokastër, në mbrojtje të jetës së egër në “Bredhin e Sotirës”

TIRANË, 8 janar/ATSH/ – Në zonën e mbrojtur “Bredhi i Sotirës” monument natyre i kategorisë III, punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Gjirokastër kanë kryer ditët e fundit monitorime.

Qëllimi është parandalimi i gjuetisë dhe mbrojtja e jetës së egër në këtë park, ku vlerat natyrore zënë një vend kryesor në thesarin e vlerave të tij.

Punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Gjirokastër u bëjnë apel të gjithë dashamirësve të natyrës të kontribuojnë në parandalimin njëherë e përgjithmonë të fenomenit kriminal të gjuetisë së paligjshme.

Gjatë monitorimeve në këtë zonë, punonjësit ndeshën edhe me disa alpinistë nga Gjirokastra, të apasionuar pas mrekullive natyrore të “Bredhit të Sotirës”.

Zona e Mbrojtur “Bredhi i Sotirës”, Monument Natyre i kategorisë III, e vendosur në jug të Shqipërisë, në Njësinë Administrative “Dropull i Sipërm”, shtrihet në një sipërfaqe prej 1740 ha.

Ai konsiderohet si një perlë të natyrës shqiptare, qoftë nga pikpamja eko-turistike si dhe nga ajo shkencore.

Për të shkuar në “Bredhin e Sotirës” përshkohet rruga nacionale Gjirokastër – Llongo – Sotirë. Përfaqësuesit specifikë të florës në këtë zonë janë Bredhi i Maqedonisë, gështenja, panja e malit, bunga, shkoza, dëllenja, prralli, marreja etj. Ndërsa fauna përfaqësohet nga: derri i egër, lepuri i egër, ujku, kaprolli, dhelpra, thëllëza e malit etj. Shpatet e maleve, rrjeti i përrenjve me shumë shtigje ofrojnë mundësi për ekoturizëm dhe alpinizëm. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Ekranet e lakueshme revolucioni teknologjik
Artikulli tjetërBRUKSEL – Rumania: Lufta kundër dezinformimit temë qendrore e presidencës sonë