TIRANË, 3 janar/ATSH/- Në ditën e tretë të hyrjes në fuqi të ligjit për mbylljen e pikave të basteve sportive, kazinove elektronike dhe të basteve, përfshirë edhe bastet online, në kryeqytet nuk shikon më pika të tilla të hapura.
Në një vëzhgim të ATSH-së konstatohet se reklamat në këto pika janë hequr.
Konkretisht në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë, ku në kompleksin e pallateve që ndodhen pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda ndodheshin 4 pika bastesh, janë mbyllur të gjitha që prej 1 janarit.
“Në lagjen tonë ndodheshin 4 pika bastesh, të cilat që prej 1 janarit janë mbyllur dhe janë hequr të gjitha reklamat e vendosura në ambientet e tyre”, – thotë administratori i një pallati.
Sipas tij, banorët e kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për mbylljen e pikave të basteve, pasi shumë banorë e kalonin pjesën më të madhe të kohës në këto pika bastesh.
“Në këto pika vihej re edhe një numër i madh adoleshentësh, gjë që përbënte një shqetësim për familjet e tyre”, – shton ai.
Ndërsa një banore shprehet se “ishte vendimi më i duhur i marrë nga qeveria, pasi shumë familje kishin kosto të jashtëzakonshme, ku kryefamiljarët ose një pjesëtar i familjes linin shuma të konsiderueshme në baste apo kazino”.
Policia ka identifikuar më herët të gjitha lotot dhe kazinotë dhe nga 1 janari ka nisur verifikimin e tyre në terren për mbylljen e plotë të tyre. /k.s/e.caushi/






















