TIRANË, 2 janar/ATSH/-Në buxhetin 2019, Bashkia e Tiranës ka parashikuar financimin e disa projekteve të reja, implementimi i të cilave do të ndikojë në turizëm, por dhe në ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarë.
Kështu një ndër këto projekte është rikonstruksioni i Piramidës, si një objekt ikonë për kryeqytetin.
Në buxhet janë parashikuar rreth 356 milionë lekë, ku ndërhyrjet synojnë transformimin e saj në një qendër kulturore të pavarur për kryeqytetin.
Piramida e Tiranës do të jetë një godinë transparente dhe plot dritë, për të krijuar idenë e një vendi që merr frymë në Tiranë.
Për këtë parashikohen që të përdoren sa më shumë xhama, për të bërë të mundur që drita natyrale të dominojë në ambientet e brendshme të saj. Gjithashtu ky projekt synon të krijojë Simbolin e ri për Tiranën, ku ndërtesa të jetë e arritshme nga të gjitha anët.
Krahas projektit të rikonstruksionit të kësaj godine, ajo që do të marrë një rëndësi të madhe është edhe zbatimi i modelit TUMO, një nga projektet që do ta kthejë Tiranën në një nga qendrat më të mëdha te zhvillimit të teknologjikë krijuese jo vetëm në rajon.
Programet që do të ofrohen nga TUMO janë:
– Animacion
– Zhvillimi i Lojërave
– kinematografia
– Web Design
– Muzikë
– Shkrim
– Vizatim
– Dizajn Grafik
– Modelimi 3D
– Programim
– Robotikë
– Grafika e lëvizjes
– Fotografi
– Media e re
z.tosku/ /a.g/


























