Ballina Aktualitet

Festat, Veliaj dhe Borchardt drekë festive për njerëzit në nevojë në qendrat sociale

Veliaj: “Kemi vendosur bazat e një qyteti social, do ta vazhdojmë në çdo ditë të vitit; sot të gjithë shërbimet e bashkisë në gatishmëri të plotë”

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ – Me rastin e natës së ndërrimit të viteve, bashkia e Tiranës ka shtruar një drekë të veçantë në të gjithë qendrat e saj sociale për njerëzit në nevojë. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë që shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Bernd Borchardt, shërbyen drekën festive në Qendrën Sociale “Gonxhe Bojaxhi” në Njësinë Administrative Nr. 4. Me urimin për një Vit të Ri të begatë, Veliaj theksoi se për herë të parë kryeqyteti ka kaq shumë qendra sociale të cilat as nuk mund të imagjinoheshin tre vite më parë.

“Ne kemi pasur një dhjetor të shkëlqyer; shumë njerëz, shumë vullnetarë, shumë bamirës, shumë dashamirës janë përkushtuar në qendrat sociale. Para tre vitesh as nuk bëhej fjalë fare që të kishim këto mensa sociale. I kemi shtuar, por besoj se është shtuar edhe dashuria, edhe njerzillëku mes nesh në qytetin e Tiranës. Dua t’ju uroj të gjithëve gëzuar një vit të mbarë, një vit të suksesshëm”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se punonjësit e përkujdesit social do të jenë pranë shtresave në nevojë jo vetëm gjatë këtyre ditëve të festive, por përgjatë gjithë vitit, sikurse kanë bërë deri më tani. Ai vlerësoi edhe rolin gjithnjë në rritje të të rinjve që punojnë vullnetarisht.

“Ju garantoj se gjithë kolegët që merren me çështjet sociale do të jenë të pranishëm jo vetëm gjatë festave, por siç kemi qenë çdo ditë të vitit, 365 ditë. Ajo që është e mirë kësaj here është që na janë bashkuar edhe shumë njerëz, kështu që për të gjithë të rinjtë e Tiranës që kanë dhënë orë pune vullnetare, kanë adoptuar në distancë dikë që është në nevojë, kanë dhuruar rroba, ushqime, lodra, dhe do të doja që kjo frymë e dhjetorit, e festave të na zgjaste gjithë vitin, 11 muajt e tjerë, do të ishte e shkëlqyer. Unë mezi pres që tani që kemi vendosur bazat e një qyteti social, e një qyteti të drejtë, të kemi mundësi që ta vazhdojmë këtë në çdo ditë të vitit, edhe më vjen mirë që rinia, deri më parë indiferente, sot është bërë shumë herë më e vëmendshme”, u shpreh kreu i bashkisë së Tiranës.

Me rastin e ndërrimit të viteve, bashkia e Tiranës ka përgatitur disa surpriza, duke nisur nga koncerti me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare në sheshin “Skënderbej”. Kryebashkiaku siguroi se të gjitha shërbimet duke filluar nga policia bashkiake, zjarrfikëset e deri tek ujësjellësi do të jenë në gatishmëri të plotë në shërbim të qytetarëve.

“Ne do të presim vitin e ri sot në shesh, me fishekzjarre, me koncert, me muzikë dhe do të kënaqen patjetër edhe gjithë fëmijët. Sot të gjithë shërbimet e bashkisë duke filluar nga Policia Bashkiake, nga pastrimi, nga ujësjellësi, sidomos zjarrfikësit do të jenë në gatishmëri të plotë. Unë vetë do ta kaloj darkën me punonjësit e pastrimit. Janë ata që sakrifikojnë çdo vit të ri”, tha Veliaj, teksa falënderoi të gjithë ata që nata e ndërrimit të viteve i gjen në punë duke shërbyer për komunitetin. Mbrëmja magjike do të vijojë me shfaqjen e mrekullueshme të fishekzjarreve që do të nisë me numërimin mbrapsht në orën 24:00.

“Të gjitha shërbimet tona do jenë në gatishmëri të plotë dhe shpresoj shumë që do kalojmë një natë të qetë, pa eksese, pa fishekzjarre që i hedhin njerëzit, por të organizuara dhe që të sigurohemi që askush nuk kalon keq ndërrimin e viteve, siç kemi pasur incidente në të kaluarën, por të sigurohemi që të zgjohemi për një vit të ri të mbarë e të shëndetshëm”, nënvizoi kreu i bashkisë Veliaj. Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Bernd Borchardt, i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj që e bëri pjesë të kësaj nisme mjaft pozitive dhe uroi të gjithë qytetarët e Tiranës për një vit të suksesshëm. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPEKIN – Xi Jinping angazhohet për vazhdimin e hapjes ekonomike të Kinës
Artikulli tjetërSHBA – Senatorja demokrate Warren njofton kandidaturën për presidencialet 2020