Ballina Flash

Lleshaj krerëve të Policisë: Qendrat e lojërave të fatit të trajtohen si parcelat me kanabis

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/-Nga ora 00:00 e datës 1 janar 2019, në të gjithë territorin e vendit ndalohen disa veprimtari të lojërave të fatit si: bastet sportive, baste për gara në pistë, lojërat elektronike në distancë. Po ashtu ndalohen reklamat audio vizive për bastet sportive, publiciteti në median e shkruar, në shtypin sportiv, në faqet elektronike të tyre etj..

Lidhur me këtë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të monitoruar në të gjithë territorin.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, ka zhvilluar të dielën një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit. Në takim, Ministri Lleshaj ka vendosur theksin te mbyllja e aktivitetit të lojërave të fatit dhe basteve sportive.

“Nga data 1 janar kjo veprimtari bëhet veprimtari e paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ndalimi i saj bëhet, siç thashë më parë, detyrim i rëndësishëm për Policinë e Shtetit. Nga data 1 janar 2019, çdo lokal ku ushtrohet në mënyrë të hapur, apo edhe të kamufluar veprimtari e lojërave të fatit dhe basteve sportive duhet të konsiderohet si parcelë kanabisi dhe si e tillë duhet trajtuar dhe si e tillë duhet të jetë e gjithë qasja e Policisë së Shtetit ndaj këtyre aktiviteteve, nëse ka mbetur ende ndonjë në funksion, tha ministri.

Në këtë këndvështrim, vijoi ministri, e plotë dhe e pandashme do të jetë përgjegjësia ligjore e të gjithë zyrtarëve shtetërorë, duke filluar nga ata të Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve të tjerë që kanë përgjegjësi për administrimin e zonave ku kryhet kjo veprimtari e paligjshme.

“Drejtuesit e Policisë së Shtetit, punonjësit e administratës tatimore, apo të administratës vendore do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore në çdo rast të konstatimit të shkeljeve apo paligjshmërisë në zonat e tyre të përgjegjësisë. Zbatimi me rigorozitet të lartë i këtij ligji do të thotë që në radhë të parë të bëhet një goditje ndaj një veprimtarie kriminale, e cila sjelle efekte të jashtëzakonshme e të dëmshme, kryesisht në fushën e pastrimit të parave”, theksoi Lleshaj.

Ai tha se “nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje do të bëhet një dekurajim i rëndësishëm i manisë për të përfituar në mënyrë të paligjshme dhe të papunë; do të kontribuohet në lehtësimin e plagëve të mëdha sociale që janë krijuar nga varësia ndaj lojërave të fatit; do të pësojë goditje të rëndësishme fenomeni i korrupsionit, si dhe do të inkurajohet puna e ndershme dhe investimet në veprimtari të ndershme, si në fushën e prodhimit, edhe në atë të shërbimeve”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak313 të punësuar në një javë vetëm përmes Zyrave të Punës
Artikulli tjetërPlatforma e bashkëqeverisjes, 25253 ankesa të zgjidhura