TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ – Ministria e Kulturës shkruan në një njoftim për shtyp se “ArTurbina” mund të konsiderohet pa frikë një histori suksesi. Janë disa tregues që e dëshmojnë këtë gjë.
Sipas Ministrisë, domëthënës mbetet numri i lartë i spektatorëve; mesatarisht janë 19 mijë spektatorë nga shtatori deri në dhjetor, të cilët kanë ndjekur shfaqje të ndryshme në skenat e “ArTurbinës”.
“Numri i shfaqjeve është 90, nga të cilat 58 janë shfaqje teatrore nga Teatri Kombëtar dhe skena e pavarur; 11 janë opera dhe balet, ndërsa 21 janë evente të ndryshme kulturore. Mesatarisht rreth 1 shfaqje në ditë. Nga 37 subjekte në total që kanë dhënë shfaqje në këto muaj, më shumë se gjysma janë nga institucionet kulturore si Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit. Pjesa tjetër janë nga skena e pavarur dhe subjektet private”, thuhet në njoftim.
“ArTurbina” u ngrit pas rikonstruksionit të ish-Laboratorit të Hidroteknikës, një investim rreth 3.3 milionë euro i qeverisë shqiptare.
Synimi ishte shndërrimi i kësaj ndërtese të braktisur në një pol kulturor, në një qendër arti bashkëkohore e me standarde europiane. “ArTurbina” është konceptuar gjithashtu edhe si një qendër shumëfunksionale që do të stimulojë kreativitetin, do të krijojë një hapësirë të re qytetare, si dhe do të përmirësojë marrëdhëniet me spektatorin, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe ambienteve të reja artistike.
“Shumë prej artistëve që në fillim hezituan për ta mirëpritur si skenë të re teatrale, sot performojnë aty dhe e vlerësojnë këtë projekt. ‘ArTurbina’ ka dy salla; një me audiencë 400 vende dhe një tjetër me 150 vende. Po kështu ka një holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 300 m2; një holl/ Foyer me sipërfaqe rreth 60 m2; hapësirat për ekspozim të arteve vizuale; hapësirat për administratën dhe ambiente të tjera ndihmëse”, bën me dije Ministria e Kulturës. /m.z/r.e/






















