Ballina Aktualitet

Vende pune direkte për studentët më të mirë

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ “Qeveria do të krijojë një hapësirë vendesh pune direkte për studentët më të mirë”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit Politeknik.

“Sot nëse ti mbaron universitetin dhe do të futesh në punë në profesionin tënd në Shërbimin Civil, të thonë nuk ke eksperiencë. Për këtë, ne do të krijojmë një numër vendesh pune të hapura për studentët më të mirë, ku nuk do të kërkohet eksperiencë pune”, – tha Rama.

Në këtë mënyrë, sipas Kryeministrit, studentët krijojnë eksperiencën e punës dhe nesër nëse duan, mund të jenë në shërbimin civil.

Ndërkohë, Kryeministri Rama tha se “do të bëhen disa korrektime lidhur me masterat profesionalë, sepse aty ka një problem që i pengon studentët që të mund të hyjnë në karrierën e tyre”.

“Masteri është nga natyra një eksperiencë e lidhur me punën. Nuk është si arsimi i detyrueshëm apo bachelor, por është një stad i privilegjuar. Ne kemi nivelin më të ulët në Europë dhe rajon të studentëve që punojnë për të mbuluar shpenzimet. Nëse flasim për tarifat, në të shumtën e herës ato janë më pak se një kafe në ditë. Po flasim për 30 mijë, 40 mijë apo 50 mijë lekë të vjetra në muaj”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “tek studimet master do të ndiqet e njëjta logjikë si me bachelorin për kategorinë e studentëve ekselentë dhe ata me ndihmë ekonomike”. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUSI – Putini dënon krijimin e një kishe të pavarur në Ukrainë
Artikulli tjetërBM – Londra në alarm, numër i lartë vdekjesh të të pastrehëve në 2017