TIRANË, 17 dhjetor /ATSH-A. Fortuzi/- Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte i pranishëm sot në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Akademisë Shqiptare të Studimeve Politike.
Në fjalën e tij, Meta tha se, edukimi më i mirë i të rinjve, si ekonomist, si politikan, si administrator, ndihmon në demokratizimin e mëtejshëm të vendit.
“Ndihmon në mirëqeverisjen, ndihmon në edukimin politik, ndihmon në emancipimin dhe zhvillimin e shoqërisë. Entuziazmi dhe energjia pozitive, kreativiteti i të rinjve, ka një rol të rëndësishëm transformues në zhvillimin e shoqërisë. Të gjithë ne si përfaqësues institucionesh dhe si shoqëri na duhet të reflektojmë më thellë për kapitalizmin e këtij potenciali njerëzor e rinor në dobi të së ardhmes së vendit”, – tha Meta.
“Në këtë drejtim, nuk mund të shmang apelin e përsëritur për të reflektuar me shpejtësi, me përgjegjshmëri dhe maturi ndaj protestës së studentëve që po zhvillohet në disa qytete kryesore të vendit. Studentët prej ditësh janë hedhur në një protestë. Vërehet një konsensus i gjerë, se kërkesat e tyre janë të drejta, legjitime dhe të realizueshme, prandaj zëri i tyre duhet të dëgjohet nga të gjithë. Duhet një bashkëpunim gjithëpërfshirës për realizimin e kërkesave të tyre të drejta në interes jo vetëm të tyre por në interesin më të mirë të vendit. Pasuria më e madhe që duhet ti kushtojmë më shumë vëmendjen është Rinia dhe potenciali i saj”, – tha Meta ndër të tjera. /e.caushi/






















