TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/- Një shtëpi e re është ndërtuar nga bashkia e Librazhdit për një familje në fshatin Funarës.
Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, gjatë vizitës në shtëpinë e re për familjen e nënë Tushes tha se ndjehej shumë i lumtur që së bashku me bashkëpunëtorët sollën gëzim për familjen e nënë Tushes në Funarës.
“Mosha e thyer dhe problemet shëndetësore të familjarëve, ia pamundësonin ndërtimin e një shtëpie të re, ndërsa shtëpia ekzistuese ishte e pabanueshme për shkak të amortizimit”, tha Gurra.
Sipas tij, e gjithë vëmendja është tek njerëzit dhe së bashku mund t’ia dalim vetëm me punë.
Bashkia e Librazhdit prej kohësh ka ndërmarrë nisma për shtresat në nevojë, ku për herë të parë me ndihmën e donatorëve shqiptarë e të huaj, ka ngritur edhe një mencë sociale e cila u vjen në ndihmë më shumë se 80 personave. /k.s/j.p/













